Qeveria ka miratuar në mbledhjen e datës 20 maj 2026 rregullat e reja për mënyrën se si institucionet publike do të paguajnë për shërbimet teknologjike dhe të sigurisë kibernetike që do të ofrohen nga shoqëria shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS). Vendimi përcakton procedurat, metodologjinë e llogaritjes së kostove, kategoritë e shërbimeve dhe marzhin operacional që do të aplikojë kompania për projektet digjitale të administratës publike.
Sipas vendimit, ADS do të ofrojë shërbime për zhvillimin dhe integrimin e sistemeve elektronike, mirëmbajtjen dhe administrimin teknik të platformave shtetërore, si edhe implementimin e masave të sigurisë kibernetike.
Në dokument theksohet se pagesat që do të kryhen nga institucionet publike nuk konsiderohen tarifa publike, por pagesa kontraktore për shërbime teknologjike dhe sigurie.
Vendimi parashikon që çdo institucion publik që kërkon një projekt apo shërbim teknologjik duhet fillimisht të paraqesë kërkesën pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pas shqyrtimit teknik dhe funksional nga AKSHI, kërkesa i kalon ADS-së, e cila ka deri në 10 ditë pune për të vlerësuar nëse mund ta realizojë projektin. Në rast se shërbimi konsiderohet i realizueshëm, kompania kryen një analizë të detajuar teknike dhe financiare brenda 20 ditëve pune, ku përcaktohen kostot, niveli i kompleksitetit dhe pagesa finale e shërbimit.
Në rastet kur ADS deklaron se nuk ka kapacitete për realizimin e projektit, institucioni publik do të ketë të drejtë të vijojë me procedurat normale të prokurimit publik.
Rregullat e reja vendosin edhe një sistem klasifikimi për projektet teknologjike, sipas vlerës financiare dhe nivelit të kompleksitetit. Shërbimet ndahen në katër kategori financiare, nga projektet deri në 50 milionë lekë deri te ato mbi 350 milionë lekë. Në të njëjtën kohë, projektet do të kategorizohen edhe sipas nivelit të kompleksitetit, nga “i ulët” deri në “shumë i lartë”.
Mbi bazën e këtij klasifikimi do të aplikohet edhe marzhi operacional i ADS-së. Për projektet standarde, marzhi varion nga 5% deri në 16%, në varësi të vlerës dhe kompleksitetit të shërbimit. Ndërsa për shërbimet e specializuara të sigurisë kibernetike është përcaktuar një marzh fiks prej 20%. Vendimi saktëson se ky marzh nuk aplikohet mbi pajisjet, licencat software apo teknologjitë e blera nga palë të treta.
Vendimi përcakton gjithashtu se marrëdhënia mes ADS-së dhe institucioneve publike do të formalizohet përmes kontratave të shërbimit dhe marrëveshjeve të nivelit të shërbimit, ku do të përcaktohen afatet, detyrimet, standardet e performancës, kushtet e pagesës dhe kërkesat për sigurinë e të dhënave.
Në vendim theksohet se pronësia mbi sistemet elektronike dhe bazat e të dhënave do të mbetet tek institucionet shtetërore dhe nuk do të transferohet tek ADS, përveç rasteve të parashikuara me ligj të posaçëm./ekofin.al


