Qeveria ka miratuar dhe i ka përcjellë Kuvendit projektligjin e ri “Për censin e bujqësisë”, një proces që synon të regjistrojë në mënyrë të plotë njësitë ekonomike bujqësore në të gjithë territorin e vendit. Nisma prek drejtpërdrejt fermerët, familjet që punojnë tokën, njësitë blegtorale dhe ekonomitë bujqësore që prodhojnë për treg, por edhe ato që prodhojnë vetëm për konsum familjar.
Qëllimi kryesor i censit është krijimi i një panorame të besueshme mbi bujqësinë shqiptare, sektor që vijon të mbajë një peshë të rëndësishme sociale dhe ekonomike, sidomos në zonat rurale. Përmes këtij procesi, INSTAT do të mbledhë të dhëna për tokën bujqësore, kulturat e mbjella, blegtorinë, bletarinë, punësimin në fermë, moshën dhe gjininë e personave të përfshirë në aktivitetet bujqësore.
Projektligji parashikon që censi të mbulojë 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98% të njësive blegtorale në vend. Në regjistrim do të përfshihen njësitë që kanë tokë bujqësore në përdorim apo kryejnë aktivitet bujqësor dhe/ose blegtoral. Pyjet dhe kullotat publike nuk do të jenë pjesë e censit, përveç rasteve kur përdoren drejtpërdrejt nga njësi ekonomike bujqësore për aktivitetin e tyre.
Ky regjistër do të administrohet vetëm nga INSTAT dhe, sipas projektligjit, nuk do të përdoret për krijimin apo përditësimin e regjistrave të tjerë administrativë. Të dhënat e mbledhura do të përdoren vetëm për qëllime statistikore.
Për qytetarët dhe fermerët, pjesa më e prekshme e ligjit lidhet me detyrimin për të dhënë informacion të plotë, korrekt dhe të vërtetë. Drejtuesit e njësive ekonomike bujqësore do të jenë të detyruar t’i përgjigjen pyetësorit të censit. Nëse ata nuk mund ta japin informacionin, këtë mund ta bëjë një anëtar tjetër madhor i familjes apo i njësisë ekonomike, i autorizuar nga drejtuesi.
Rezultatet e censit do të publikohen në nivel kombëtar, vendor dhe në nivele të tjera gjeografike, por vetëm në formë statistikore. Ato do të përfshijnë edhe të dhëna gjinore në bujqësi, me qëllim matjen e rolit të grave dhe burrave në ekonomitë bujqësore. INSTAT do t’ia dërgojë rezultatet Eurostatit brenda 12 muajve nga përfundimi i periudhës së referencës.
Kundërvajtjet administrative dhe gjobat
Projektligji parashikon sanksione për ata që nuk respektojnë detyrimet e censit. Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
E njëjta masë gjobe, nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë, parashikohet edhe për personat apo organizatat që shkelin ndalimin për mbledhjen e të dhënave të ngjashme gjatë periudhës së censit. Sipas projektligjit, katër javë përpara ditës së censit dhe gjatë gjithë periudhës së mbledhjes së të dhënave, askush përveç INSTAT-it nuk mund të mbledhë të dhëna nga njësitë ekonomike bujqësore, përveçse me autorizim të posaçëm nga Komisioni Qendror i Censit të Bujqësisë.
INSTAT do të jetë autoriteti përgjegjës për verifikimin dhe vendosjen e gjobave. Vendimi duhet t’i njoftohet me shkrim shkelësit brenda 10 ditëve kalendarike. Gjobat do të jenë tituj ekzekutivë, ndërsa ankimi ndaj tyre mund të paraqitet pranë drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it brenda 30 ditëve nga marrja dijeni. Kundër vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative brenda 45 ditëve.
Projektligji parashikon gjithashtu që shkeljet që lidhen me konfidencialitetin statistikor të trajtohen sipas legjislacionit për statistikat zyrtare, ndërsa rastet e shkeljes së të dhënave personale do të trajtohen sipas ligjit nr.124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Financimi i censit do të sigurohet nga buxheti i shtetit, përmes fondeve të veçanta në buxhetin vjetor të INSTAT-it. Procesi mund të mbështetet edhe nga fondet e Bashkimit Evropian, donatorët ndërkombëtarë dhe burime të tjera të ligjshme financimi. /ekofin.al
