Qeveria ka miratuar sot një vendim për indeksimin e pagave në njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke reflektuar rritjen prej 2.5% dhe politikën e përgjithshme të rritjes së pagave në administratën publike.
Sipas vendimit të ri, kufijtë e pagës bazë për punonjësit administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore do të jenë nga 50 000 deri në 57 000 lekë në muaj, duke reflektuar indeksimin dhe rritjen e përgjithshme të pagave.
Vendimi specifikon se kufijtë maksimalë të pagës për disa klasa, përfshirë klasat III dhe IV, janë rezultat i indeksimit 2.5% dhe politikës së rritjes së pagave. Ndërkohë, kufijtë minimalë dhe maksimalë në disa lidhje janë indeksuar me të njëjtën masë, ndërsa edhe pagat për pozicion për klasat I dhe II janë rritur në përputhje me këtë indeksim. Këto ndryshime prekin një gamë të gjerë funksionesh në administratën vendore, përfshirë nëpunësit civilë dhe punonjësit administrativë.
Efektet financiare të këtij vendimi për vitin 2026 do të mbulohen nga transfertat e akorduara për pushtetin vendor në buxhetin e vitit 2026, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të zbatohet me efekte financiare që nga 1 janari 2026.
VENDIMI I PLOTË
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KLASIFIKIMIN E FUNKSIONEVE, GRUPIMIN E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR EFEKT PAGE, DHE CAKTIMIN E KUFIJVE TË PAGAVE TË FUNKSIONARËVE TË ZGJEDHUR E TË EMËRUAR, TË NËPUNËSVE CIVILË E TË PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 9, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 54 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon: “11. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.”. b) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e: a) kufijve maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat III-1, III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe vlerat e pikës 11, të ndryshuar, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave; b) kufijve minimalë e maksimalë në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%; c) kufijve minimalë e maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
