Eshtë zbardhur dhe publikuar në Fletore Zyrtare vendimi i fundit i Qeverisë për rregullimin e procedurës dhe dokumentacionit për kërkesat që lidhen me dhënien me koncesion të burimeve ujore, lejet dhe autorizimet për përdorimin e tyre, ndërtimet në brigje, si dhe shkarkimet e ujërave të ndotura.
Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi ditën e sotme, përcakton formularët për aplikim, dokumentet shoqëruese, si dhe afatet e shqyrtimit, rinovimit, ndryshimit apo revokimit të lejeve.
Kërkesat do të paraqiten online përmes portalit “e-Albania”, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) është institucioni përgjegjës për shqyrtimin dhe vendimmarrjen, brenda afateve të përcaktuara. Në rast mangësish në dokumentacion, aplikuesit kanë afate të caktuara për plotësim. AMBU gjithashtu vlerëson ndikimin e veprimtarisë në cilësinë e trupit ujor dhe mund të rekomandojë kufizime ose refuzim të kërkesës.
Vendimi përfshin edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në rastet kur kërkohet miratim nga institucione të tjera, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Në mungesë të përgjigjes nga këto institucione, supozohet miratim i heshtur.
Afatet e vlefshmërisë për lejet dhe autorizimet mbi burimet ujore
Leja/autorizimi për përdorimin e burimit ujor hyn në fuqi vetëm pas publikimit të saj në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, përveçse kur hyrja në fuqi lidhet me botimin në Fletoren Zyrtare.
Afati i vlefshmërisë së miratimit, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni, e lejes/autorizimit për përdorimin e burimeve ujore sipërfaqësore, nëntokësore dhe shkarkimeve të lëngshme është, si më poshtë vijon: a) miratimi, në parim, për nisjen e një procedure koncesioni jepet për një periudhë kohore prej 2 (dy) vjetësh; b) autorizimi jepet për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjetësh; c) leja jepet për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjetësh; ç) në rastet e përdorimit të burimit ujor me koncesion ose kur përdorimi i burimit ujor i shërben kryerjes së një veprimtarie me koncesion, afati është në përputhje me afatet e koncesionit; d) në rastin e investimeve strategjike, afati i lejes/autorizimit është në përputhje me afatin për të cilin është dhënë statusi “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”; dh) autorizimi për kryerje shpimi nëntokësor për marrje uji (pus shpimi) jepet për një periudhë 1- vjeçare.
Afati i vlefshmërisë së lejes/autorizimit për veprimtari ndërtimore në brigje dhe veprimtari në shtratin e burimit ujor është, si më poshtë vijon: a) Autorizimi i posaçëm për përdorim burimi ujor për veprimtari ndërtimi, rindërtimi ose shembjen e objekteve, për mbrojtjen e brigjeve, mureve, digave apo veprave të tjera në brigje është i vlefshëm, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet; b) Autorizimi për përdorim burimi ujor, për veprimtari ndërtimore në brigje, është i vlefshëm, nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet; c) Autorizimi për veprimtari mbrojtëse të përkohshme, në rast emergjence, është sipas kërkesës së paraqitur nga strukturat e ngritura për përballimin e emergjencave civile; ç) Autorizimi për përdorim burimi ujor, për ndërtimin e strukturave ankoruese, portuale, veprave mbrojtëse dhe ishujve artificialë në det, është e vlefshme nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet; d) Leja për shfrytëzimin e materialeve inerte, që nxirren nga shtretërit e lumenjve, përrenjve, liqeneve me ose pa ujë, është sipas grafikut të punimeve, por jo më shumë se 3 (tre) vjet; dh) Leja për rehabilitimin e trupave ujorë është sipas grafikut të punimeve; e) Leja/autorizimi për veprimtari të tjera në brigje dhe në shtratin e burimit ujor është e vlefshme nga data e miratimit deri në fillimin e zbatimit në terren, në çdo rast jo më shumë se 2 (dy) vjet.
Ky vendim synon të sigurojë përdorimin e kontrolluar dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore, në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit./ekofin.al









