Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.
Kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brendainstitucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
“Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shkroi Kurti në Facebook.

Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, votuan kundër raportit, ndërkaq Lista Serbe abstenoi.
Përfaqësuesit e opozitës vunë në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit./REL

