Punonjësit e Starbucks në 65 dyqane të sindikalizuara në SHBA kanë hyrë në grevë, në përpjekjen e tyre më të fundit për t’i bërë presion zinxhirit të kafesë për paga më të mira dhe më shumë staf, pasi negociatat janë bllokuar.
Sindikatën, Starbucks Workers United, po e shtyn gjithashtu kompaninë të zgjidhë qindra akuza për praktika të padrejta të punës.
Bisedimet për një marrëveshje kontrate u ndërprenë gjatë pranverës dhe të dyja palët vazhdojnë të mos bien dakord për çështje kyçe ekonomike.
Starbucks tha se greva e së enjtes do të prekë më pak se 1% të mijëra dyqaneve të saj, duke shtuar se shërbimi do të vazhdojë normalisht në “shumicën dërrmuese” të pikave.
Sindikatat, që u krijuan katër vite më parë, thanë se kanë fituar zgjedhje sindikale në më shumë se 600 dyqane – rreth 5% e lokacioneve të kompanisë në pronësi të vetë zinxhirit në SHBA.
Mbi 1,000 barista të sindikalizuar në më shumë se 40 qytete po marrin pjesë në grevën kundër praktikave të padrejta të punës, tha sindikata. Aksioni u kohëzgjat qëllimisht me “Red Cup Day”, një nga ditët më të rëndësishme të shitjeve festive të Starbucks.
Sindikatat thanë se greva mund të zgjerohet në më shumë lokacione nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje.
“Po rrezikojmë shumë,” tha Dachi Spoltore, një barista në grevë nga Pittsburgh, gjatë një telefonate me gazetarët të enjten. “Punët tona, jetesën tonë, sigurinë tonë ekonomike – kjo mund të jetë një lojë për Starbucks, por për ne nuk është aspak lojë. Ne do t’u bëjmë thirrje të gjithë klientëve të Starbucks që kujdesen për trajtimin e drejtë të punonjësve të premtojnë: pa kontratë, pa kafe.”
Grevën e kufizuar në një pjesë të vogël të dyqaneve të Starbucks mund të tërheqë vëmendje të padëshiruar në një moment delikat për kompaninë.
Marka është përballur me bojkotime nga konsumatorët, rritjen e konkurrencës së re dhe pakënaqësi të klientëve për shkak të çmimeve të larta, si dhe me lëkundje brenda drejtuesve të lartë.
Ardhja vitin e kaluar e drejtorit të ri të përgjithshëm, Brian Niccol – i cili udhëhoqi me sukses rikthimin e Chipotle dhe Taco Bell – ngriti shpresat se ai mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për Starbucks.
Niccol nisi menjëherë ndryshimet, pjesë e strategjisë së tij “Back to Starbucks”. Politikat e tij të reja përfshijnë ndalimin e përdorimit të tualeteve nga persona që nuk janë klientë, zbatimin e një kodi më të rreptë veshjeje për stafin dhe rikthimin e ulëseve komode që, sipas tij, do të ndihmojnë në ringritjen e tërheqjes së zinxhirit.
Në të njëjtën kohë, Starbucks ka shpallur plane për të investuar mbi 500 milionë dollarë për të përmirësuar stafin dhe trajnimin në dyqanet e saj.
Muajin e kaluar, kompania raportoi rritje prej 1% të shitjeve në nivel global në dyqanet që kanë qenë hapur të paktën një vit – rritja e parë tremujore pas gati dy vitesh. Por në SHBA, shitjet mbetën të pandryshuara.
“Kemi ende shumë punë për të bërë, por po fitojmë vrull,” tha Niccol gjatë një bisede të fundit me analistë.
Baristat dhe sindikata e tyre thonë se shumë prej politikave të reja, si shkrimi në gota apo ofrimi i filxhanëve prej qeramike, u kanë shtuar ngarkesën e punës, pa rritur numrin e punonjësve.
“Punë e rëndë deri në lodhje”
Rami Saied, një bariste sindikaliste që ka punuar prej dy vitesh në Starbucks, iu bashkua një rreshti protestues para dyqanit të saj në Brooklyn, New York, të enjten në mëngjes. Ndërsa klientët afroheshin, ajo dhe kolegët i kërkonin t’i mbështesnin duke blerë kafe diku tjetër.
Një kontratë e drejtë, tha ajo, do të thotë që Starbucks të negociojë për pagat, oraret dhe stafin.
“Mua stafi më duket çështja më e rëndësishme,” tha Saied, 27 vjeç. Ajo tregoi se ka punuar turne disaorëshe vetëm me një punonjës tjetër, çka ka shkaktuar vonesa deri në 30 minuta për porositë.
“E bën punën aq të rëndë sa nuk të mbetet as dinjitet,” tha ajo.
Kaari Harsila, 21 vjeç, u largua nga puna si supervizore turni në të njëjtin dyqan në Brooklyn. Katër vjet pasi filloi punën në Starbucks, ajo thotë se është lodhur nga fakti që nuk mund të sigurojë orët që i duhen.
Politikat e reja, si ndalimi i përdorimit të ujit dhe tualeteve për personat që nuk janë klientë, kanë shkaktuar herë pas here tensione të mëdha në vendin e punës, shtoi ajo.
“Ne thjesht duam të mund të fitojmë një pagë të mjaftueshme për të jetuar dhe të trajtohemi si njerëz,” tha Harsila./Përshtati nga BBC, ekofin.al

