Qeveria synon t’i japë një shtysë të re programit të Garancisë Rinore, duke e kthyer atë në një nga shtyllat kryesore të politikave të punësimit për periudhën 2027–2029.
Në fokus është jo vetëm ulja e papunësisë tek të rinjtë, por edhe frenimi i emigrimit, në një kohë kur kategoria NEET (të rinjtë 15–29 vjeç që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim) mbetet ndër më të ekspozuarat në tregun e punës.
Sipas dokumentit të politikave prioritare 2027-2029, skema do të shtrihet tashmë në të gjithë vendin, pas fazës së pilotimit në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, ku u testuan mekanizmat e identifikimit dhe aktivizimit të të rinjve. Modeli i ri parashikon që çdo i ri në këtë kategori të marrë brenda 4 muajve një ofertë konkrete, qoftë për punësim, trajnim profesional apo vazhdim arsimimi, duke e kthyer Garancinë Rinore në një instrument aktiv dhe jo thjesht mbështetës.
Zbatimi i programit do të mbështetet nga fondet e Programit Operacional IPA III 2024–2027, ndërsa drejtimi institucional mbetet në duart e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive si strukturë zbatimi. Paralelisht, Agjencia Kombëtare e Rinisë merr një rol të zgjeruar, duke u fokusuar në kontaktimin dhe aktivizimin e të rinjve, por edhe në menaxhimin e një mekanizmi të ri grantesh për organizatat rinore.
Ky mekanizëm grantor synon të financojë aktivitetet e organizatave në kuadër të Rrjetit të Partneritetit Vendor, duke përfshirë informimin, ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve në program. Deri më tani janë realizuar 5 thirrje për projekte, ndërsa AKR do të vazhdojë të koordinojë identifikimin e organizatave, kontraktimin dhe shpërndarjen e fondeve bazuar në rezultatet e monitorimit.
Ndërkohë, gjatë vitit 2025 u ndërmorën hapa për të forcuar bazën ligjore dhe institucionale të programit. Ndryshimet në ligjin për rininë, të miratuara pas konsultimeve me mbi 80 aktorë nga institucionet, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë, vendosën për herë të parë një përkufizim ligjor për kategorinë NEET, zgjeruan rolin e këshillave rinorë dhe njohin edhe grupet informale si përfitues potencialë të financimeve.
Në të njëjtën kohë, janë zhvilluar aktivitete të gjera informuese, përfshirë takime me 53 këshilla vendorë rinorë, pjesëmarrje në panaire dhe fushata në rrjete sociale, me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së të rinjve në program.
Faza e re e Garancisë Rinore synon të konsolidojë një qasje të integruar mes politikave të punësimit, arsimit dhe përfshirjes sociale, duke kontribuar në uljen e papunësisë së të rinjve dhe në ndërtimin e një ekonomie më konkurruese dhe gjithëpërfshirëse deri në vitin 2030. /ekofin.al
