Ndërprerja e përgjithshme më 28 prill mund të përsëritet për shkak të lidhjeve të kufizuara me rrjetin kontinental të energjisë, sipas një studimi të ri.
Rreth 60 milionë njerëz mbetën pa energji elektrike për disa orë në prill të këtij viti pas një ndërprerjeje masive që la Portugalinë dhe Spanjën në errësirë. Ishte ndërprerja më e madhe në historinë moderne, një skenar makthi që nuk pritet të përsëritet – ose ndoshta po.
Portugalia dhe Spanja janë vendet më të prekura në Europë nga rreziku i ndërprerjeve, sipas një studimi të “think tank”-ut britanik Ember, i specializuar në tranzicionin energjetik.
“Iberia është më e cenueshme ndaj rrezikut të ‘blackout’-eve se vendet e tjera europiane për shkak të lidhjeve të kufizuara me rrjetin kontinental,” thuhet në studim.
“Pas ndërprerjes, Spanja dhe Portugalia i kërkuan BE-së të mbështesë projekte të reja ndërlidhjeje, duke theksuar se lidhjet më të forta janë thelbësore për të shmangur ndërprerje të ardhshme.”
Sa kohë iu desh Spanjës dhe Portugalisë për t’u rikuperuar nga ndërprerja?
Ember thekson se Spanjës iu deshën 16 orë për rikuperim të plotë, me ndihmën e Francës dhe Marokut.
“Vetëm 10 minuta pas ndërprerjes, linja e parë Francë–Spanjë u rikthye në funksion, e ndjekur shpejt nga ndërlidhja me Marokun dhe më pas të tjera me Francën,” shpjegon studimi.
“Me ndihmën e hidrocentraleve dhe termocentraleve me gaz, rikuperimi i plotë në Spanjë u arrit rreth orës 04:00 të 29 prillit, pra rreth 16 orë pas incidentit.”
Për Portugalinë nuk u dha kohë specifike, por ministrja portugeze e Mjedisit, Maria Graça Carvalho, deklaroi në maj se vendi e riktheu rrjetin elektrik pas 10 orësh.
“Ne patëm një rikuperim të plotë pas 10 orësh, çka për një ngjarje të këtij lloji është shembullor,” tha ajo.
Sipas raportit paraprak të Shoqatës Europiane të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E), ndryshe nga Spanja, Portugalia nuk pati mbështetje të menjëhershme të jashtme, por nisi procesin e rikuperimit në mënyrë të pavarur.
Më pak se një orë pas dështimit, REN (kompania përgjegjëse për rrjetin elektrik të Portugalisë) aktivizoi hidrocentralet me kapacitet ndezjeje autonome, përfshirë hidrocentralin e Castelo de Bode dhe termocentralin me cikël të kombinuar Tapada do Outeiro.
Rikuperimi u zhvillua me faza: “ishujt” e parë të furnizimit nisën të funksiononin mes orës 16:00–17:30, duke mundësuar rikthimin gradual të rrjetit. Mbështetja nga Spanja mbërriti vetëm në 18:36, kur u rivendos ndërlidhja e parë dypalëshe. Nga ai moment, rikuperimi u përshpejtua, pasi sistemi portugez përfitoi nga stabiliteti i rrjetit fqinj.
Sa i përket shkaqeve të ndërprerjes, një raport i qeverisë spanjolle flet për një “origjinë multifaktoriale”, ku incidenti lidhej me episode të mbi-tensionit. Dokumenti përjashtoi sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet e jashtme, duke theksuar se problemet kishin të bënin me dështime sistemike, si planifikim i pamjaftueshëm dhe dobësi në kontrollin e tensionit të rrjetit elektrik.
Pritet që raporti final i ENTSO-E të publikohet në tetor.
Kapacitet i kufizuar importi
Rikuperimi i shpejtë i Spanjës tregon rëndësinë e importeve të energjisë, të cilat megjithatë janë mjaft të kufizuara në Europën kontinentale.
“Duke llogaritur kërkesën maksimale të vendeve me tre ose më pak drejtime importi dhe me një normë potenciale importi prej 25% ose më pak, deri në 55% e sistemit elektrik evropian mund të konsiderohet në rrezik për shkak të opsioneve të kufizuara të importit emergjent,” shkruan Ember.
“Tre vende – Spanja, Irlanda dhe Finlanda – janë veçanërisht të ekspozuara, me shumë pak mbështetje nga fqinjët në rast incidentesh në rrjet.”
Portugalia mbështetet pothuajse ekskluzivisht te Spanja, që do të thotë se në rast problemesh në vendin fqinj, ajo ka pak alternativa për import.
Rëndësia e ndërlidhjeve midis vendeve të BE-së është vërtetuar edhe nga rasti i Ukrainës dhe Moldavisë, të cilat – sipas studimit – “do të kishin pësuar humbje të rënda furnizimi për shkak të agresionit rus, nëse nuk do të kishin pasur shkëmbim ndërkufitar të energjisë me fqinjët e BE-së.”
Portugalia dhe Spanja ushtrojnë presion mbi Brukselin për më shumë ndërlidhje
Pas ndërprerjes së madhe, qeveritë e Portugalisë dhe Spanjës i kërkuan Komisionit Europian angazhim politik dhe financiar për të avancuar ndërlidhjet mes Gadishullit Iberik dhe pjesës tjetër të BE-së.
“Nevojitet një angazhim i fortë politik dhe financiar në të gjitha nivelet për të siguruar integrimin e shpejtë dhe efektiv të Gadishullit Iberik në sistemin energjetik të BE-së,” shpjeguan ministritë përkatëse të Portugalisë dhe Spanjës.
“Kjo do të kërkojë një hap të mëtejshëm në ndërlidhje dhe investime të konsiderueshme në infrastrukturën e rrjetit elektrik europian.”
Në një letër drejtuar Komisionerit Europian të Energjisë, Dan Jørgensen, u propozua mbajtja e “një takimi ministror më vonë këtë vit, ku së bashku me Francën dhe Komisionin të hartohet një udhërrëfyes me afate dhe hapa konkretë për arritjen e objektivave europiane për vitin 2030 dhe 2040.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al

