Intervistë me Prof.Asoc.Dr. Klodian Muço, Dekan i Fakultetit Ekonomik, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”
Këto ditë, Kina miratoi projektin e Planit të 15-të Pesëvjeçar 2026-2030 për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të saj. Zbatimi i këtij plani pritet të jetë një nga veprimet më me ndikim në ekonominë globale gjatë kësaj dekade. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe një nga motorët kryesorë të rritjes botërore, drejtimet që Kina vendos për zhvillimin e saj të brendshëm kanë pasoja të drejtpërdrejta për tregtinë, investimet, teknologjinë dhe stabilitetin ekonomik ndërkombëtar. Veprimet e saj në planin ekonomik na prekin edhe ne, pasi Kina është partneri i dytë më i madh importues i Shqipërisë, pas Italisë, me mbi 915 milionë euro importe për vitin 2025
Kina paraqiti këto ditë Planin e saj të 15-të Pesëvjeçar 2026–2030. Objektivi i Planit të ri për vitin 2026 është një rritje ekonomike 4.5-5 përqind. Këtë objektiv nuk e ka asnjë nga ekonomitë e tjera të mëdha të planetit. A mund ta realizojë?
Situata e Kinës për vitin 2026 ka ndryshuar pak, po të kemi parasysh konfliktet me ndërhyrjen e SHBA-ve në Venezuelë (megjithëse kjo u mbyll shumë shpejt), dhe tani në Iran. Edhe pse në vitet e fundit Kina ka bërë hapa gjigantë përpara, për sa i përket diversifikimit të energjisë, duke investuar në energjinë e gjelbër, duke hequr dorë nga nafta në shumë investime dhe aktivitete prodhuese dhe duke përdorur energjinë elektrike dhe makinat me bateri, gjithsesi vendi është akoma i varur nga nafta, si të gjitha vendet e tjera të botës.
Faktikisht, këto dy ndërhyrjet e fundit të SHBA-ve mund të pengojnë pak parashikimin e rritjes së Kinës, që ishte në koherencë me rritjen ekonomike të saj që presupozohet të ketë mbyllur vitin 2025. Gjithsesi, për t’u përgjigjur më saktësi, duhet parë se sa do të vazhdojë konflikti në Iran dhe çfarë impakti do të ketë nafta në bursë.
Kina për këtë vit dhe për katër vitet e tjera e drejton vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik me cilësi të lartë. Pse ky fokus, sipas jush?
Kina ndër vite, në dekadat e fundit ka pasur rritje shumë të shpejtë ekonomike, një rritje që ka ardhur nga sektorët e punës intensive dhe jo vetëm.
Dikur Kina kishte strategji që të prodhonte sa më shumë, pa u përqendruar shumë tek cilësia.
Tashmë strategjia ka ndryshuar. Në dy vitet e fundit, Kina po orienton çdo produkt të saj drejt cilësisë. Nuk diskutohet më që tashmë Kina është një konkurrente botërore jo vetëm në çmim, por edhe në cilësi.
Pra, Kina po synon të jetë konkurruese në shumë produkte cilësore. E shikojmë këtë tek makinat elektrike kineze, që tashmë po vënë në vështirësi të gjithë ekonominë europiane. Sot kompanitë kryesore të prodhimit të makinave të Europës po reduktojnë prodhimin, pasi po shesin gjithnjë e më pak.
Tek ne sot ka 50 mijë makina elektrike. Shumica e tyre janë makina elektrike kineze. Arsyeja pse ne po blejmë gjithnjë e më shumë makina elektrike kineze qëndron në faktin që janë jo vetëm më të lira, por kanë të njëjtën cilësi si makinat evropiane, madje nganjëherë cilësi edhe më të lartë.
Ku i ka rrënjët rezistenca ekonomike e Kinës? Viti 2025 ka qenë sfidues në shumë drejtime për Kinën, veçanërisht për shkak të goditjeve të jashtme. Rikthimi i administratës Trump u shoqërua me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj tregtisë globale dhe shkaktoi një nivel të jashtëzakonshëm pasigurie dhe ndërprerjesh në furnizimet në mbarë botën.
Në vitet e fundit, sidomos që nga pandemia nga Covid-19, lufta në Ukrainë, por edhe që nga vitet 2007–2008, ekonomistë të dëgjuar të politikave ekonomike flasin për sisteme të qëndrueshme.
Mirëpo, sa më shumë shkojmë drejt kësaj, aq më shumë problematika shfaqen. Që kompanitë kryesore të prodhimit të makinave në Europë të jenë në vështirësi, kjo tregon që, në një farë mënyre, ka diçka që nuk funksionon në vizion, në mënyrën e të operuarit të tyre, etj.
Nëse kalojmë tek sistemi hibrid, tek sistemi kinez, ku shteti ka një rol të rëndësishëm, por edhe ekonomia nuk është e centralizuar, pra është miks i të dyja qasjeve, kjo mund të jetë çelësi i suksesit të Kinës.
Kina ka arritur të kombinojë në mënyrë perfekte rolin e shtetit në ekonomi me sipërmarrjen private. Kjo është arsyeja kryesore pse Kina vazhdon të surprizojë vendet me rritjen e saj të lartë ekonomike. Ajo e mbylli vitin 2025 me 4.8 për qind rritje ekonomike.
Kina e ka pozicionuar zgjerimin e kërkesës së brendshme si detyrë prioritare për dy vjet rresht, me theks në iniciativat e veçanta për të nxitur konsumin. Drejtimi i duhur për të rritur ekonominë, sipas jush?
Në të kaluarën, kemi parë që një ndër shtetet kryesore që zhvilloi ekonominë ishte Koreja e Jugut, me një ekonomi të drejtuar nga eksportet. Kina, në një farë mënyre, ka pasur një zhvillim të tillë. Nëse mund ta quajmë rishikim të ekonomisë në aspektin gjeopolitik, apo nga dështimet e globalizimit të ekonomisë botërore, sidomos nga ndërhyrjet tarifore të SHBA-ve, kjo ka vënë në pikëpyetje vetë procesin e globalizimit.
Administrata amerikane mendon se ky globalizim nuk është mënyra më e duhur për të zhvilluar SHBA-të. Ky qëndrim ka efekte në gjithë ekonominë globale. Kina sot po e shikon zhvillimin ekonomik jo vetëm si pasojë e eksporteve. Pra, Kina mendon që të mos bazohet rritja ekonomike vetëm nga politika të ndjekura nga vendet e tjera.
Dhe praktikisht, konsumi në shumicën e vendeve është komponenti kryesor në prodhimin e përgjithshëm bruto. Kontribuon si motor zhvillimi në 60–80 për qind, në varësi të shteteve të caktuara. Prandaj dhe Kina ka menduar që, duke stimuluar tashmë konsumin e brendshëm, mundet të kundërbalancojë efektet që vijnë nga politikat e ndjekura nga shtete të ndryshme, sidomos nga SHBA-të.
Dhe të investosh për të stimuluar konsumin e brendshëm është një aspekt shumë pozitiv, sepse rrit ekonominë e brendshme dhe e bën më autonome rritjen ekonomike. E kështu me radhë, përqendrimi tek kujdesi shëndetësor, tek stimulimi i rritjes së lindjeve, tek zgjidhja e problematikave të demografisë dhe tek pensionet. Të gjithë këta janë faktorë të rëndësishëm. Po të kthehemi pas në kohë, studiuesja e njohur Amantia Semi, kur fliste për zhvillim të qëndrueshëm, kishte parasysh së pari zhvillimin social, që t’u japim mundësi qytetarëve të zgjedhin, dhe zgjedhja nuk është vetëm midis dy alternativave, por ata duhet të kenë mundësi të shumta.
Suficiti tregtar i Kinës për vitin 2025 me mbi 1.2 trilion dollarë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Dhe kjo po ndodh pavarësisht barrierave tregtare.. Si po e arrin Kina këtë? Çfarë po e nxit këtë bum eksportesh? A mund të vijojë ai?
Viti 2025 pati ndryshime të mëdha në aspektin e tregtisë ndërkombëtare, për arsye të politikave tarifore mbrojtëse që vendosën SHBA-të. Këto ndryshime nuk patën vetëm efekte në Kinë, por edhe në gjithë Bashkimin Europian; vendet anëtare të tij u ndjenë shumë të rrezikuara, me efekte të rëndësishme në aspektin ekonomik.
Po të shikojmë se çfarë ka ndodhur në këta muajt e parë të vitit 2026, shikojmë që drejtues të rëndësishëm të shteteve të rëndësishme të BE-së kanë bërë vizita të vazhdueshme në Kinë. Këto tregojnë një hapje dhe diskutime se si mund të intensifikohen shkëmbimet, të luftohen barrierat tregtare midis Kinës dhe këtyre vendeve.
Ashtu si SHBA-të po ndjekin një politikë të caktuar, edhe vendet e BE-së, dhe jo vetëm, po shikojnë mundësi për zhvillim ekonomik, pa qenë vende ndjekëse të SHBA-ve në politikat e tyre tregtare. Një orientim të tillë duhet ta ndërmarrim edhe ne.
Kam përshtypjen që do të ketë ridizenjim të shkëmbimeve tregtare në nivel global. Mendoj se rritja e eksporteve kineze do të vazhdojë me të njëjtat ritme edhe gjatë këtij viti dhe në vitet që do të vijnë.
Ju faleminderit!
