Ari po shkëlqen në vitin 2025, duke tejkaluar të gjitha asetet kryesore. Me pasigurinë politike, dyshimet mbi pavarësinë e Rezervës Federale dhe rreziqet në rritje ekonomike, roli i arit si një depo e besueshme dhe e pavarur vlere e ka bërë atë strehën më të sigurt për investitorët.
Ari është ngjitur në krye të listës së dëshirave të investitorëve këtë vit. Ky metal i çmuar, i njohur prej kohësh si mbrojtje kundër inflacionit dhe trazirave gjeopolitike, ka arritur rekorde të reja mbi 3,600 $ (3,080 €) për ons, duke ofruar kthime prej gati 40% që nga fillimi i vitit – viti më i mirë i arit që nga 1978.
Ndërsa tregjet e aksioneve kanë dhënë kthime pozitive këtë vit, ato mbeten prapa performancës së arit. Në kontrast, obligacionet po kalojnë një tjetër vit zhgënjyes.
Pse obligacionet nuk ofrojnë më mbrojtje
Për dekada, obligacionet amerikane dhe ato sovrane evropiane kanë shërbyer si “amortizues goditjesh” në portofolat e balancuara. Por kjo marrëdhënie funksiononte vetëm sa kohë inflacioni qëndronte i ulët. Tani ky ekuilibër është prishur.
Që nga kulmi i vitit 2020, obligacionet e qeverive evropiane kanë humbur rreth 20% të vlerës, ndërsa ato amerikane afatgjata janë përgjysmuar. Vetëm këtë vit, treguesit kryesorë të obligacioneve evropiane janë ulur me 2%, duke performuar më dobët se aksionet dhe mallrat.
Për investitorët që mbështeten te strategjia klasike 60/40 (60% aksione, 40% obligacione), kthimet kanë qenë zhgënjyese: vetëm 32% në pesë vitet e fundit, kundrejt 109% të S&P 500. Madje, përfitimet e diversifikimit janë zhdukur – portofolat e balancuara kanë pasur luhatshmëri të ngjashme dhe rënie edhe më të thella sesa portofolat vetëm me aksione.
Inflacioni është armiku më i madh i obligacioneve: ai gërryen kthimet reale dhe i heq atyre statusin e sigurisë. Në këtë boshllëk, hyn ari.
Ari si mbrojtje ndaj dyfishtë rreziqesh
Në një periudhë të performancës së dobët strukturore të obligacioneve, investitorët po i drejtohen arit si stabilizues portofoli – një aset i aftë të mbrojë si ndaj rreziqeve të tregut të aksioneve, ashtu edhe të atij të obligacioneve.
Vlera e arit është kryesisht e pakorrelacionuar me klasat e tjera të aseteve, gjë që e bën atë një mbrojtje ideale në këtë klimë të shumëfishtë rreziqesh.
Ky prishje e korrelacioneve sjell ndër mend vitet 1970, kur inflacioni galopant dhe besueshmëria e dobët e bankave qendrore e ngritën arin në krye të klasifikimit të aseteve. Edhe sot, e njëjta dinamikë po përsëritet.
Bankat qendrore në krye, investitorët ndjekin
Një tjetër faktor kyç është blerja masive e arit nga bankat qendrore, veçanërisht në tregjet në zhvillim. Që nga sanksionet ndaj Rusisë në 2022, vende si Kina, India dhe Turqia kanë përshpejtuar diversifikimin e rezervave duke kanalizuar miliarda në ar.
Sipas FMN-së, blerjet e arit nga bankat qendrore janë rritur pesëfish që nga shkurti 2022. Kjo valë ka nxitur edhe investitorët privatë. ETF-ja më e madhe në botë e mbështetur nga ari fizik (SPDR Gold Shares – GLD) ka tërhequr 11.3 miliardë $ (9.63 mld €) vetëm këtë vit, në rrugë për të thyer rekordin e 2020-ës.
Ndryshe nga obligacionet, ari nuk mund të shtypet, të sanksionohet apo të zhvlerësohet, duke e bërë atë më tërheqës në një botë me borxh të lartë, politika të polarizuara dhe rreziqe të fragmentuara.
Sa lart mund të shkojë çmimi i arit?
Rreziku nuk është vetëm ekonomik, por edhe institucional. Fushata agresive e Donald Trump kundër kreut të Fed-it, Jerome Powell, ka ngritur shqetësime për pavarësinë e bankës qendrore amerikane. Nëse Fed detyrohet të mbajë normat e interesit artificialisht të ulëta, aftësia e saj për të luftuar inflacionin do të dëmtohej – duke bërë arin edhe më tërheqës.
Goldman Sachs paralajmëron se edhe nëse vetëm 1% e mbajtësve privatë të obligacioneve amerikane do të kalonin te ari, çmimi mund të arrinte deri në 5,000 $ (4,263 €) për ons. Edhe në një skenar më të moderuar, pritet që ari të arrijë 4,000 $ (3,410 €) deri në mes të 2026-ës, falë pasigurisë politike, kërkesës së lartë të bankave qendrore dhe rënies së besimit tek menaxhimi fiskal amerikan.
Sinjali i artë
Rritja historike e arit në vitin 2025 nuk është thjesht një valë tregu, por një ndryshim themelor në përparësitë e investitorëve.
Meqenëse obligacionet po humbin fuqinë mbrojtëse dhe rreziqet politike po dëmtojnë besimin tek institucionet monetare, ari ka rimarrë statusin e tij si strehë e fundit e sigurt.
Me natyrën e tij të pakorrelacionuar, rezistencën ndaj inflacionit dhe pavarësinë nga besueshmëria institucionale, ari është duke zënë vendin qendror në portofolat ku dikur dominonin obligacionet./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

