Përdoruesit e Facebook dhe Instagram po përballen me probleme në qasje në të dyja platformat e Meta-s, pasi mijëra persona në vende të ndryshme të botës kanë raportuar se llogaritë e tyre janë përkohësisht të padisponueshme.
Sipas raportimeve, problemi prek kryesisht përdoruesit që hyjnë në Facebook dhe Instagram përmes kompjuterëve, ku në ekran shfaqet një mesazh gabimi që i pengon të përdorin platformat.
Mesazhi i shfaqur njofton se: “Llogaria juaj aktualisht nuk është e disponueshme për shkak të një problemi me faqen. Presim që kjo të zgjidhet së shpejti. Ju lutemi provoni përsëri pas disa minutash.”
Ndërkohë, faqja që monitoron ndërprerjet e shërbimeve online, Downdetector, ka regjistruar mijëra raportime nga përdoruesit. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar mbi 5 mijë raste për Facebook dhe më shumë se 1 mijë për Instagram.
Fillimisht u mendua se ndërprerja ishte e kufizuar vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por më pas raportime të ngjashme u shfaqën edhe nga vende të tjera në Evropë, si dhe nga Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut, duke sugjeruar se problemi ka prekur përdorues në shkallë ndërkombëtare.
Deri më tani, Meta nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi shkakun e ndërprerjes apo kohën kur shërbimi pritet të rikthehet plotësisht./Top Channel

