Shqipëria po konsolidohet si një destinacion turistik në rritje në Mesdhe, por vitet e fundit vëmendja po zhvendoset gjithmonë e më shumë drejt veriut të vendit. Pasuria natyrore, investimet infrastrukturore dhe një brez i ri projektesh turistike po krijojnë kushtet për një kapitull të ri zhvillimi në bregdetin e Adriatikut.
Jo shumë vite më parë, kur flitej për turizmin shqiptar, vëmendja përqendrohej kryesisht në jug. Riviera, me plazhet dhe destinacionet e saj të konsoliduara, ishte imazhi dominues turistik i Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. Por kjo panoramë kohët e fundit po ndryshon.
Ndërsa turizmi shqiptar po rritet dhe kërkesa për destinacione të reja po zgjerohet, bregdeti verior po shfaqet gjithnjë e më shumë atraktiv si një nga zonat me potencialin më të madh për investime turistike.
Vetëm në dy vitet e fundit, numri i turistëve është rritur me 35% nga Shkodra deri në Shëngjin, referuar të dhënave të Bashkisë Shkodër. Ekspertët e turizmit vlerësojnë se kjo rritje e turistëve ka ardhur sepse ky rajon ofron një kombinim të veçantë. Në njërën anë janë plazhet e gjera ranore, të cilat po bëhen gjithmonë e më të preferuara për familjet dhe moshën e tretë. Në anën tjetër janë hapësirat me peizazhe natyrore pranë detit, si edhe afërsia me disa nga atraksionet më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë.
Nga statistikat e fundit, Shqipëria regjistroi rreth 12.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë vitit 2025, ndërsa të ardhurat nga turizmi arritën në rreth 5.72 miliardë euro. Dhe gjatë 9 muajve të parë të 2026, vendi ynë ka regjistruar një rritje të numrit të turistëve prej 4.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Shifrat e publikuara nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dëshmojnë rritjen e vazhdueshme të interesit nga turistët e huaj për të vizituar Shqipërinë.
Nga hotelet te destinacionet e integruara
Por sfida e vendit tonë nuk është vetëm tërheqja e më shumë vizitorëve. Por, edhe krijimi i destinacioneve që ofrojnë eksperienca më të plota turistike, qëndrime më të gjata dhe aktivitete buzë detit gjatë gjithë vitit.
Pikërisht këtu qëndron mundësia për veriun: një rajon ku potenciali natyror është i konsiderueshëm, ndërsa zhvillimi i një oferte turistike të integruar është ende në një fazë të hershme.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm po ndodh në vetë mënyrën se si investohet në turizëm. Ashtu siç kanë treguar disa prej destinacioneve më të suksesshme të Mesdheut, transformimi i një rajoni nuk ndodh vetëm duke ndërtuar struktura akomoduese. Ai ndodh kur investimet, infrastruktura, vizioni dhe identiteti i një vendi bashkohen për të krijuar një destinacion të ri.
Sot, në tregjet e zhvilluara, modelet më konkurruese nuk mbështeten më vetëm te hotelet apo projektet individuale. Ato ndërthurin mikpritjen, rezidencat turistike, gastronominë, sportin, argëtimin, mirëqenien dhe hapësirat e gjelbra në një destinacion të vetëm.
“Costa Navarino” në Greqi është një shembull i kësaj qasjeje. Përmes hoteleve me pesë yje, rezidencave private, fushave të golfit dhe shërbimeve rekreative, një zone dikur pak e njohur e Mesdheut është pozicionuar tashmë si një destinacion ndërkombëtar.
Për bregdetin verior të Shqipërisë, kjo përfaqëson një mundësi për të ndërtuar një identitet të ri turistik, duke kombinuar standardet ndërkombëtare me karakteristikat natyrore të rajonit.
Një brez i ri investimesh po merr formë
Në zonën mes Velipojës dhe Ranës së Hedhun, kjo qasje po merr formë përmes projekteve të reja të zhvillimit turistik.
Një prej tyre është Baks Bay Albania, një projekt i konceptuar si destinacion rezidencial dhe turistik, që synon të ndërthurë mikpritjen ndërkombëtare, jetesën pranë detit dhe hapësirat rekreative.
I shtrirë në rreth 150 hektarë, projekti është konceptuar si një qytezë moderne turistike, me mbi 300,000 metra katrorë hapësira të gjelbra, me ambiente sportive, rekreative, pishina, shkollë profesionale, kopshte dhe shërbime 360 gradë për vizitorët dhe rezidentët. Gjithashtu, aty parashikohet edhe një hotel me pesë yje nga Meliá, për të ofruar një eksperiencë buzë detit, me një standard ndërkombëtar.
Zhvillime të kësaj natyre pasqyrojnë një ndryshim në mënyrën se si po konceptohet turizmi në veri: jo thjesht si ndërtim kapacitetesh akomoduese, por si krijim i destinacioneve që ndërthurin pushimet, jetesën dhe eksperiencën turistike gjatë gjithë vitit.
Veriu mundësi shumë e mirë për investime në prona
Paralelisht, një sërë projektesh të tjera janë në fazë zhvillimi në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, Kune apo në Tale, të cilat paralelisht me zhvillimin e infrastrukturës nga Velipoja në Shëngjin po i japin gjithnjë e më shumë vlerë dhe vëmendje këtij aksi deri dje më pak të zhvilluar jo vetëm krahasuar me jugun, por edhe me bregdetin e Durrësit dhe Golemit.
Për investitorët ndërkombëtarë, pyetja nuk është më vetëm se cilat janë destinacionet tradicionale të Shqipërisë, por cilat projekte kanë potencialin për t’u shndërruar në destinacionet e ardhshme në vend që do të kapin vëmendjen e turistëve, që do të sjellin kthim më të lartë investimi dhe do të arrijnë të sjellin vlerë afatgjatë.
Dhe pikërisht në këtë pikë, bregdeti i Veriut po hap horizonte të reja për zhvillimit turistik dhe për investimet e reja të Shqipërisë në dekadën e ardhshme. Kjo edhe për shkakun se aktualisht çmimet janë shumë here më të përballueshme krahasuar me jugun. Por me siguri që me projektet e reja në zhvillim, nuk do të qëndrojnë në këto nivele edhe për shumë kohë.
