Përshkallëzimi i protestave gjatë dy ditëve të fundit në kryeqytet, të shoqëruara me akte dhune, djegie dhe dëmtime të bizneseve dhe institucioneve, ka detyruar edhe bizneset që operojnë në sektorin financiar të marrë masa parandaluese për sigurinë e punonjësve dhe klientëve.
Disa nga bankat kryesore që operojnë në Shqipëri kanë njoftuar mbylljen e përkohshme të një pjese të degëve fizike në Tiranë, kryesisht në zonat që mund të preken nga tensionet dhe përplasjet gjatë protestave.
Raiffeisen Bank, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Bank dhe Union Bank kanë njoftuar kufizime të shërbimit në degë të caktuara, ndërsa Tirana Bank ka bërë të ditur se po ndjek situatën dhe është e gatshme të ndërmarrë masa në varësi të zhvillimeve. Fibank i është shtuar institucioneve që kanë marrë masa duke mbyllur të gjitha degët fizike në Tiranë. Pritet që edhe banka e institucione të tjera financiare të bëjnë të njëjtën gjë.

Raiffeisen Bank ka njoftuar mbylljen e 11 degëve për datën 15 tetor, duke përfshirë disa prej pikave kryesore të shërbimit në kryeqytet, por edhe në Durrës.
Sipas njoftimit zyrtar, degët që nuk do të ofrojnë shërbim janë Rruga e Kavajës, Blloku i Ambasadave, ETC, Zogu I, 21 Dhjetori, Kamza, Zogu i Zi, Abdyl Frashëri, Vila Gold, Durrësi dhe Cashless Durrës.

Banka ka bërë të ditur se çdo ndryshim tjetër që mund të ndikojë në ofrimin e shërbimeve do t’u komunikohet klientëve përmes kanaleve zyrtare, ndërsa i ka ftuar ata të përdorin shërbimet digjitale për kryerjen e veprimeve bankare.
Edhe Intesa Sanpaolo Bank Albania ka vendosur mbylljen e përkohshme të pesë degëve në Tiranë, duke argumentuar se masa është marrë në kuadër të parandalimit të rreziqeve dhe garantimit të sigurisë së klientëve dhe punonjësve.
Degët e prekura janë Piramida, Rruga e Durrësit, Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës dhe Stacioni i Trenit.

Sipas bankës, këto degë do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë. Klientët mund të drejtohen në degët e tjera të bankës në Tiranë, të cilat vijojnë të funksionojnë sipas orarit të zakonshëm, ose të përdorin shërbimet e Digital Banking dhe ATM-të.
OTP Bank kishte njoftuar ndërprerjen e shërbimit në tri degë të Tiranës, duke nisur nga ora 12:00 e datës 14 tetor. Bëhet fjalë për degët Twin Towers, Bulevardi Zogu I dhe Karl Topia.

Banka i ka orientuar klientët që të kryejnë veprimet e tyre në degë të tjera ose përmes aplikacionit OTP Bank. Njoftimi i publikuar i referohet datës 14 tetor dhe nuk përcakton situatën e këtyre degëve për ditët në vijim.
Ndërkohë, Union Bank ka njoftuar se dega e saj në Toptan do të jetë e mbyllur për veprime me klientët më 15 tetor 2026.

Në njoftimin e saj, banka thekson se siguria e klientëve dhe punonjësve mbetet përparësia kryesore dhe se vendimi është marrë për shkak të situatës së krijuar. Klientët janë ftuar të përdorin aplikacionin Union Bank Live ose të vizitojnë degët e tjera në Tiranë.
Nga ana tjetër, Tirana Bank ka publikuar një njoftim ku bën të ditur se po ndjek me vëmendje situatën dhe se po punon për të garantuar vijimësinë e shërbimeve bankare në kushte të plota sigurie.

Banka nuk ka identifikuar degë konkrete që do të mbyllen, por ka paralajmëruar se çdo ndryshim i mundshëm do të komunikohet përmes kanaleve zyrtare. Edhe ajo u ka rekomanduar klientëve përdorimin e shërbimeve digjitale.
Mbylljet e përkohshme tregojnë se pasojat e protestave po shtrihen përtej dëmeve materiale, duke ndikuar edhe në funksionimin e përditshëm të shërbimeve financiare.
Për bankat, kufizimi i aktivitetit në degët fizike është një masë parandaluese për të shmangur ekspozimin e klientëve, stafit dhe ambienteve ndaj incidenteve të mundshme. Për qytetarët dhe bizneset, kjo situatë mund të sjellë vështirësi në kryerjen e veprimeve që kërkojnë praninë fizike në bankë, veçanërisht në zonat ku janë përqendruar mbylljet.
Në këtë kontekst, shërbimet bankare digjitale po shndërrohen në alternativën kryesore për të garantuar vazhdimësinë e transaksioneve, pagesave dhe operacioneve të tjera që mund të realizohen pa qenë e nevojshme paraqitja në sportel. /ekofin.al
