Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, Kryeadministratorja e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Risena Xhaja dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja vizituan projektin social “Tradita ime Artizanale” në qytetin e Elbasanit, i cili ka në fokus mbështetjen e grave dhe vajzave në nevoje dhe është ndërtuar në një nga pronat e sekuestruara të veprimtarive kriminale.
Drejtuesja e re e AAPSK u shpreh se ishte kënaqësi për të që aktivitetin e parë në krye të Agjencisë e zhvilluan në një sipërmarrje të tillë, pjesë e programit të financuar nga Komisioni Evropian, që ka në fokus mbështetjen e nismave sociale, përmes ripërdorimit të pronave të konfiskuara.
“Në fakt, përmes shembujve të tillë, ne përmbushim edhe një nga qëllimet kryesore të ligjit mbi administrimin e pasurive të konfiskuara, që është rikthimi në komunitet i pasurive të fituara në mënyrë të jashtëligjshme, theksoi znj. Xhaja.
“Nisma të tilla që fuqizojnë komunitetet, mbështesin gratë dhe vajzat në nevojë apo edhe kategori të tjera në nevojë, promovojnë vlerat dhe traditat tona shumëvjeçare, jo vetëm që duhen mbështetur, por edhe zgjeruar më tej.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi me institucionet e pushtetit vendor, si në këtë rast me Bashkinë e Elbasanit, por edhe me bizneset, organizatat e shoqërisë civile, mediat, është me rëndësi të posaçme, edhe për arsyen e thjeshtë se produktet e këtyre grave dhe vajzat, pra këto qilima të bukur dhe të veçantë që ato prodhojnë, duhet të gjejnë një treg, në mënyrë që sipërmarrje të tilla të jenë sa më e suksesshme,” u shpreh drejtuesja e AAPSK.
“Ne jemi të vendosur për të vijuar në këtë rrugë, edhe me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të partnerëve tanë, Komisionin Evropian, OSBE-në, aktorët e shoqërisë civile, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për kontributin e dhënë përgjatë këtyre viteve, duke bërë të mundur që pasuritë e sekuestruara të përdoren në të mirë të komuniteteve dhe për kauza sa më të drejta sociale.
I kam kërkuar stafit të Agjencisë që të realizojmë një inventarizim sa më të plotë të të gjitha pronave dhe pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, në mënyrë që të kemi edhe një regjistër të digjitalizuar, me informacion për secilën pronë, gjë që më tej do të shërbejë edhe në funksion të nismave të ngjashme në të ardhmen,” tha Xhaja.
Projekti i financuar nga Komisioni Evropian është implementuar me asistencën e institucionit partner “Partners Albania”. /ekofin.al

