Projektligji i propozuar nga Qeveria për të huajt janë veçanërisht një ftesë e hapur për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian për të punuar dhe dalë në pension në Shqipëri.
Sipas shtesave ligjore, shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, që kanë banuar ligjërisht për një periudhë të vazhdueshme prej pesë vjetësh në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
Po kështu, evropianët tashmë kanë të drejtën e qëndrimit në Shqipëri pa leje qëndrimi apo leje unike për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, nëse janë punëmarrës ose të vetëpunësuar, kanë të ardhura të mjaftueshme për të mos iu bërë barrë ndihmës sociale dhe shëndetësore të vendit tonë; ndjekin studime ose trajnime në institucione të akredituara.
Evropianët mund të gëzojnë leje qëndrimi të përhershëm nëse kanë qenë punëmarrës apo të vetëpunësuar dhe pushojnë së punuari kur mbërrijnë moshën e pensionit. Kushti është që të kenë punuar për të paktën dymbëdhjetë muajt e mëparshëm dhe të kenë banuar për më shumë se 3 vjet në Shqipëri.
Kategoria tjetër e evropianëve që përfitojnë leje qëndrimi të përhershëm janë punëmarrësit ose të vetëpunësuarit që kanë banuar në Shqipëri për më shumë se dy vite dhe pushojnë së punuari, për shkak të paaftësisë së përhershme për të punuar.
Nëse kjo paaftësi është rezultat i një aksidenti në punë ose i një sëmundjeje profesionale që i jep të drejtën personit të interesuar për një përfitim të pagueshëm plotësisht ose pjesërisht nga një institucion në Republikën e Shqipërisë, nuk vendoset asnjë kusht për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit.
Po kështu punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar, të cilët, pas tre vitesh punësimi dhe qëndrimi të vazhdueshëm në Republikën e Shqipërisë, janë të punësuar ose të vetëpunësuar në një shtet të Bashkimit Evropian, duke ruajtur vendbanimin e tyre në Republikën e Shqipërisë, në të cilin ata kthehen, si rregull, çdo ditë ose të paktën një herë në javë.
Periudhat e punësimit të kaluara në shtetin e Bashkimit Evropian, në të cilin punon personi në fjalë, do të konsiderohen se janë shpenzuar në Republikën e Shqipërisë.
Po kështu, periudhat e papunësisë së pavullnetshme, të regjistruara nga zyra përkatëse e punësimit, periudhat e papunësisë për arsye jo të vetë personit dhe mungesat nga puna ose ndërprerja e punës për shkak të sëmundjes ose aksidentit do të konsiderohen si periudha punësimi./ekofin.al
