Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që ka për qëllim përmirësimin e ligjit nr. 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet adresimi i problematikave të evidentuara gjatë zbatimit të ligjit aktual dhe përforcimi i kornizës ligjore në funksion të objektivit kryesor të sigurisë kombëtare, harmonizimi i përkufizimeve që lidhen me sigurinë e informacionit të klasifikuar, si dhe përafrimi i mëtejshëm me standardet e Bashkimit Evropian.
Një tjetër objektiv është shtimi i autoriteteve kontraktore, me agjencitë e zbatimit të ligjit që kanë kompetenca dhe juridiksion në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke synuar forcimin dhe garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor për policinë gjyqësore, për pajisjen me armë zjarri dhe për përdorimin e armëve të zjarrit brenda kompetencave respektive të agjencive të zbatimit të ligjit, në funksion të qëllimit dhe objektivit kryesor për të parandaluar dhe luftuar të gjitha format e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Projektligji bën gjithashtu unifikimin e përkufizimeve “Certifikata e Sigurimit Industrial (CSI)”, “Certifikata e Sigurimit të Personelit (CSP)”, dhe “Informacioni i klasifikuar” me ligjin nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”.
Risi është shtesa që në specifikimet teknike, nëse nuk e justifikon objekti i kontratës, nuk duhet të përmendet asnjë markë prodhimi ose burim specifik apo proces i veçantë, që karakterizon produktet ose shërbimet e ofruara nga një operator ekonomik specifik apo asnjë markë tregtare, patentë, tipi ose origjinë apo prodhim specifik, me qëllim favorizimin ose eliminimin e disa sipërmarrjeve ose produkteve.
Një gjë e tillë lejohet vetëm në raste përjashtimore kur nuk ekziston një mënyrë e mjaftueshme, e saktë apo e kuptueshme e përshkrimit të objektit të kontratës sipas këtij neni. Referime të tilla duhet të shoqërohen nga fjalët “ose ekuivalente”, thuhet në projekligj.
Po kështu, në rastet kur vlera e përllogaritur e kontratës për një objekt prokurimi është e barabartë ose më e ulët se vlera e përcaktuar e kufirit për procedurat kombëtare, autoriteti kontraktor përdor “procedurën e thjeshtuar të prokurimit” për punë/mallra/shërbim./ekofin.al
