Bizneset do të kenë më shumë garanci për markat e tyre tregtare me projektligjin e ri që është depozituar në Kuvend për shqyrtim.
Risitë e ligjit për markat tregtare kanë plotësuar në detaje elementë të tillë si shkaqet absolute dhe relative për refuzimin e shenjave që nuk mund të regjistrohen, si dhe të shenjave dhe markave që cenojnë të drejtat e pronarëve të markave të regjistruara më parë, duke u siguruar pronarëve të markave që janë regjistruar më parë një mbrojtje më të madhe.
Në këtë kuadër, projektligji ndalon agjentët ose përfaqësuesit e një pronari marke të regjistrojnë në emër të tyre një markë që i përket pronarit, fenomen ky që është hasur jo rallë në tregun e vendit, që përbën edhe thelbin e konceptit të keqbesimit.
Pronarëve të markave kanë të drejtë të padisin shkelësit, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, si dhe të kërkojnë nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e tyre.
Projektligji trajton edhe shpërblimin e dëmeve që u vjen pronarëve të markave të mëparshme nga shkeljet për të abuzuar dhe përdorur pa autorizim të markave të pronarëve të tjerë. Në këtë kuadër, projektligji parashikon edhe të drejtat e pronarëve të markave që t’u drejtohen autoriteteve doganore dhe autoritetit të ngarkuar për inspektimin dhe kontrollin e tregut të brendshëm.
Në projektligj gjejnë vendin e duhur edhe regjistrimet ndërkombëtare të markave, markat kolektive dhe certifikuese.
Ligji parashikon gjithashtu që nëse riprodhimi i markës tregtare në një fjalor, enciklopedi ose botim të ngjashëm krijon përshtypjen se marka tregtare përbën emrin gjenerik të mallrave dhe shërbimeve për të cilat ajo është regjistruar, botuesi i veprës, me kërkesë të pronarit të markës tregtare, siguron që në botimin e ardhshëm riprodhimi i markës tregtare të shoqërohet me treguesin që ajo është një markë tregtare e regjistruar.
Gjithashtu, marka tregtare mund të jetë objekt i veprimeve përmbarimore nga autoritetet kompetente për procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm. Me kërkesë të njërës prej palëve ose të autoritetit kompetent për procedurat e përmbarimit, veprimet përmbarimore regjistrohen në regjistër, nëse pala kërkuese depoziton në DPPI aktin mbi bazën e të cilit kryhen veprimet përmbarimore.
Po kështu, edhe informacioni për fillimin e procedurës së paaftësisë paguese të një ndërmarrjeje regjistrohet në regjistrin e DPPI-së, bazuar në njoftimin e bërë nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin për falimentimin në fuqi në Republikën e Shqipërisë ose me kërkesë të administratorit të procedurës së paaftësisë paguese.
Marka tregtare regjistrohet për një periudhë 10-vjeçare nga data e depozitimit të kërkesës me të drejtë përsëritjeje./ekofin.al
