Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka hartuar projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital” dhe e ka nxjerrë atë për konsultim publik.
Qëllimi i projektligjit është vendosja e një kuadri ligjor të qartë dhe të unifikuar për identifikimin elektronik të sigurt, ofrimin e shërbimeve të besuara si dhe ndërtimin dhe funksionimin e portofolit të identitetit digjital, duke garantuar siguri, integritet, ndërveprueshmëri si dhe besueshmëri në transaksionet elektronike si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.
Projektligji vendos përcaktime të qarta lidhur me nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, vulat kohore elektronike, shërbimin elektronik të regjistruar të transmetimit, autentifikimin e faqeve të internetit, arkivimin elektronik dhe vërtetimin elektronik të atributeve, menaxhimin e pajisjeve të krijimit të nënshkrimit elektronik, menaxhimin e pajisjeve të krijimit të vulës elektronike dhe regjistrat elektronikë në Republikën Shqipërisë si dhe vendos një bazë solide për ndërtimin dhe funksionimin e identitetit digjital në përputhje me standardet evropiane.
Projektligji synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të besuara duke bërë të mundur një qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet e ofruara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar, me qëllim garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në përdorimin e shërbimeve të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara nga qytetarët, bizneset dhe administrata publike, për të hyrë në shërbimet online ose për të menaxhuar transaksionet elektronike në vend.
Projektligji vendos një kuadër të qartë dhe të standardizuar për përdorimin e mjeteve të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara, duke garantuar integritetin, autenticitetin dhe vlefshmërinë ligjore të transaksioneve elektronike duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve dhe bizneseve në përdorimin e shërbimeve digjitale, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Përdorimi i portofolit të identitetit digjital do t’u mundësojë individëve dhe bizneseve akses të sigurt, të unifikuar dhe të ndërveprueshëm ndaj shërbimeve online, jo vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar.
Gjithashtu përdorimi i shërbimeve të besuara do të mundësojë përshpejtimin e procedurave administrative, reduktimin e ndërveprimeve fizike dhe rritjen e transparencës në ofrimin e shërbimeve publike. /ekofin.al
