Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur për konsultim public, projektligjin “Për performancën energjitike të ndërtesave”, i cili ka për qëllim reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.
Shqipëria, në përputhje me agjendën e Bashkimit Evropian për ndryshimet klimatike, synon të arrijë qëllimin ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050.
Objektivi konsiston në përcaktimin e kritereve, si dhe standardeve për rritjen e performancës energjetike të ndërtesave dhe si rezultat rritjen e efiçencës energjetike, sigurinë e furnizimit me energji, reduktimin e kërkesës për burime të reja energjetike.
Duke filluar nga viti 2026, të gjitha ndërtesat e reja duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore në bazë të rrezatimit diellor të zonës dhe për të mundësuar instalimin e teknologjive diellore me kosto efektive. Gjithashtu, duke filluar nga 1 Janari 2026, sistemet teknike në ndërtesa do të inspektohen në intervale të caktuara, përfshirë sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të ajrit me fuqi nominale efektive mbi 70 kW.
Ndërtesat e reja dhe ato që do të rinovohen në vijim do të kenë detyrimin të jenë pa emetime. Ndërtesat e reja duhet të jenë pa emetime nga viti 2028 dhe nga viti 2030 për të gjitha ndërtesat. Prej vitit 2027, ndërtesat në pronësi të autoriteteve publike do të kenë detyrimin e të qenit pa emetime.
Plani kombëtar do të përcaktojë standarde minimale të performancës energjetike për ndërtesat jorezidenciale, me pragje që do të respektohen deri në vitet 2030 dhe 2033.
Krahas përparësive, të cilat listojnë uljen e emetimeve të karbonit dhe uljen e kostove energjitike të konsumatorëve, ndërtesat me energji efiçente ofrojnë kushte më të mira jetese, duke përmirësuar shëndetin, si dhe do të nxisin investime në teknologji të reja dhe materiale ndërtimi, duke stimuluar ekonominë lokale.
Por zbatimi i projektligjit do të hasë në disa vështirësi: kërkon investime të konsiderueshme, që mund të jenë një barrierë për pronarët e ndërtesave dhe zhvilluesit, si dhe tregu mund të ketë rezistencë ndaj ndryshimeve, sidomos nëse ato kërkojnë ndryshime të mëdha në infrastrukturë./ekofin.al
