Projektligji “Për disa ndryshime “Për turizmin Detar” përcakton se operatorët turistikë të cilët kërkojnë certifikime për aktivitetet e turizmit detar, së pari do duhet të licencohen sipas ndryshimeve të ligjit.
Sipas projektligjit janë 5 aktivitete të cilat ushtrohen nga operatorët e turizmit detar, duke filluar nga lundrimi për zbavitje, peshkimi turistik, peshkimi nën ujë, zhytja çlodhëse, aktivitete të tjera ujore si kitesurfing, windsurf, ski në ujë, motor uji etj.
Për t’u licencuar si objekt i veprimtarisë së operatorit të turizmit detar pasi nuk është i njëjtë me atë të operatorit turistik dhe për t’u licencuar si i tillë, duhet që drejtuesi teknik dhe përfaqësuesi ligjor të zotërojnë një diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve në fushën e turizmit, si dhe të kenë eksperiencë të mëparshme në fushën e turizmit. Gjithashtu të zotërojnë një gjuhë të huaj në nivelin B2 dhe një gjuhë të huaj të dytë në nivelin B1.
Efektet e pritshme nga ndryshimet e propozuara janë krijimi i një klime të favorshme biznesi për subjektet që ushtrojnë veprimtari të turizmit detar nëpërmjet heqjes së kritereve të panevojshme dhe lehtësirave procedurale.
