Ministria e Ekonomisë ka hartuar dhe publikuar për konsultim publik projektligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit, i përafruar në masë të gjerë me kuadrin ligjor të BE-së.
Projektligji parashikon gjithashtu përmirësime në funksionimin e organeve administrative mbikëqyrëse dhe rritje të rolit të organizatave të konsumatorëve. Dispozitat për përfaqësimin kolektiv, përfshirjen në monitorim, aksesin në informim dhe bashkëpunimin ndërinstitucional synojnë të forcojnë ekosistemin institucional të mbrojtjes së konsumatorëve. Risia e ligjit është krijimi i një autoriteti përgjegjës për çështjet e mbrojtjes së konsumatorit, siç është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit, thuhet në relacion.
Problematikat e identifikuara kanë të bëjnë më së shumti me zbatimin praktik të dispozitave të reja. Përdorimi i konceptit të pajtueshmërisë me kontratën, funksionimi i së drejtës për riparim dhe harmonizimi i kontratave online me kërkesat formale, paraqesin sfida në drejtim të ndërgjegjësimit të tregtarëve dhe kapaciteteve institucionale. Po ashtu, sistematizohet i gjithë kuadri legjislativ në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve dhe krijohet bashkërendim ndërmjet ligjeve të tjera për të garantuar koherencë dhe shmangie të mbivendosjes normative.
Efektet e pritshme janë rritja e transparencës në marrëdhëniet kontraktore dhe përmirësim i praktikave tregtare. Gjithashtu, pritet rritja e besimit të konsumatorëve dhe nxitja e konkurrencës në treg.
Projektligji përmban gjashtë pjesë, duke nisur me dispozitat e përgjithshme, praktikat tregtare të biznesit ndaj konsumatorit, kontratat me konsumatorin, mbrojtja procedurale e të drejtave të konsumatorit dhe në fund kuadri institucional që parashikon ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit të ri, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit.
Projektligji përmban 240 nene, duke prekur thuajse çdo aspekt që lidhet me konsumatorin, përfshirë atë që cilësohen edhe thembra e akilit, çmimin. Sipas parashikimit të nenit 12 për këtë çështje, çdo produkt, që i ofrohet konsumatorit, duhet të ketë të shënuar çmimin e shitjes dhe ky çmim duhet të jetë i etiketuar vetëm në lekë.
Dokumenti përmban edhe shumë nene të cilat parashikohet të hyjnë në fuqi në një periudhë të mëvonshme, ose në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. /ekofin.al
