Pas protestave të zhvilluara ditët e fundit në Zvërnec kundër projektit turistik që pritet të ndërtohet në zonë, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar publikisht, duke akuzuar disa aktorë për dezinformim dhe përpjekje për të dëmtuar një investim që e cilëson ndër më të mëdhenjtë në historinë e turizmit shqiptar.
Në një deklaratë për mediat, kompania shprehet se po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe se po zhvillohet një fushatë për të përbaltur projektin, i cili sipas saj do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Vlorën dhe gjithë vendin.
Sipas kompanisë, investimi parashikohet të kalojë vlerën e 4 miliardë eurove dhe mund të kontribuojë me 3 deri në 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë gjatë pesë viteve të ardhshme. Po ashtu, projekti pritet të krijojë mbi 10 mijë vende të reja pune, si drejtpërdrejt ashtu edhe në mënyrë indirekte.
Reagimi vjen në një kohë kur kundërshtarët e projektit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në mjedis dhe në ekosistemin e zonës së Zvërnecit, një prej hapësirave më të ndjeshme natyrore në bregdetin shqiptar.
Kompania garanton se mbrojtja e mjedisit dhe biodiversitetit do të jetë një prioritet i projektit, duke bërë të ditur se prej dy vitesh janë angazhuar ekspertë ndërkombëtarë dhe kompani të specializuara për realizimin e studimeve mjedisore. Sipas saj, rezultatet e këtyre studimeve do të bëhen publike sapo të përfundojnë.
“Zvërnec South Adriatic Development” thekson se prona ku do të zhvillohet investimi është pronësi private e blerë nga pronarë të ligjshëm dhe se të gjitha transaksionet janë kryer përmes sistemit bankar, duke qenë plotësisht të verifikueshme nga institucionet shtetërore.
Në deklaratë nënvizohet gjithashtu se të gjitha procedurat e ndjekura deri tani janë kryer në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me autorizimet përkatëse të institucioneve kompetente.
Kompania bën të ditur se projekti arkitektonik dhe ai mjedisor janë ende në fazën e finalizimit dhe po hartohen nga studio të njohura ndërkombëtare, ndërsa pas përfundimit do të prezantohen publikisht.
Sipas investitorëve, projekti do të përfshijë bashkëpunime me disa nga markat më të njohura botërore në fushën e hotelerisë, gastronomisë, sportit dhe shërbimeve turistike, me synimin për ta kthyer zonën në një destinacion të nivelit ndërkombëtar.
Në fund të reagimit, kompania dënon çdo akt dhune ndaj pronës private dhe paralajmëron se do të ndjekë rrugët ligjore ndaj çdo përpjekjeje që, sipas saj, synon të pengojë ose shantazhojë investimin.
“Zvërnec South Adriatic Development” shprehet se mbetet e bindur se projekti do të shndërrohet në një motor zhvillimi për ekonominë lokale dhe kombëtare, duke kontribuar në pozicionimin e Vlorës si një nga destinacionet më të preferuara të turizmit në Mesdhe.

