Në fillim të vitit 2025, Banka e Shqipërisë aktivizoi Programin e Financimit për Biznesin Mikro, të Vogël dhe të Mesëm (PFBVM). Me një fond total prej 25 miliardë lekësh, programi synon të ulë koston e kredisë, të rrisë aksesin në financim dhe të nxisë investimet në segmentin që përbën shtyllën e ekonomisë shqiptare.
Në praktikë, skema funksionon përmes një mekanizmi të ndërmjetëm: Banka e Shqipërisë furnizon bankat tregtare me likuiditet afatgjatë me kosto shumë të ulët, vetëm 0.5% në vit, ndërsa këto të fundit e kanalizojnë financimin drejt bizneseve për kredi investimi. Për të garantuar efektin në ekonomi reale, është vendosur një tavan i normës së interesit për bizneset deri në 3.5%, ndërsa për kreditë me garanci shtetërore norma zbret në 2–3%. Ky dizajn synon të shmangë deformimet në treg dhe të ruajë disiplinën bankare, pasi rreziku i kredisë mbetet tërësisht në bilancet e bankave tregtare.
Programi është i hapur për të gjitha bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, pa dallim sektori, duke ruajtur neutralitetin dhe konkurrencën. Çdo biznes mund të aplikojë pranë bankave, por miratimi i financimit mbetet ekskluzivisht në dorë të tyre, bazuar në vlerësimin e riskut dhe politikat e brendshme. Ekspozimi maksimal për një biznes është vendosur në 25 milionë lekë, ndërsa kreditë duhet të kenë një maturitet minimal prej 3 vitesh, me rifinancim për bankat deri në 5 vite. Programi është i kufizuar në kohë, me afat për disbursim deri në dhjetor 2026 dhe përfundim të rifinancimit në vitin 2031.
Vetëm 7.2% e fondit të përdorur në vitin e parë
Të dhënat e raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë tregojnë se zbatimi operacional i programit nisi në tremujorin e dytë të vitit 2025 dhe ka ndjekur një trajektore graduale rritjeje. Gjatë vitit u akorduan 131 kredi me një vlerë totale prej 1.8 miliardë lekësh, që përbën vetëm 7.2% të fondit total të programit.
Një element pozitiv është se rreth 98% e këtyre kredive janë financime të reja dhe jo rifinancime të detyrimeve ekzistuese, duke treguar se skema ka shërbyer realisht për të nxitur investime shtesë në ekonomi. Kjo konfirmon që instrumenti ka arritur të prodhojë efektin e synuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe modernizimin e bizneseve.

Struktura e kreditimit tregon një dominim të bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë përfituar rreth 85% të fondeve, ndërsa segmenti mikro mbetet më pak i përfaqësuar. Kjo sugjeron se pikërisht bizneset më të vogla vazhdojnë të përballen me vështirësi më të mëdha në aksesin në financë, pavarësisht kushteve të favorshme të programit.
Nga pikëpamja sektoriale, financimi është përqendruar kryesisht në industri (33.7%), tregti (30.5%) dhe bujqësi (22.9%), sektorë që konsiderohen me potencial të lartë për rritjen e produktivitetit. Në terma përdorimi, gati gjysma e fondeve janë orientuar drejt blerjes së pajisjeve dhe makinerive, duke reflektuar fokus të qartë në investime kapitale dhe zgjerim aktiviteti. Një pjesë e konsiderueshme është përdorur edhe për pasuri të paluajtshme dhe inventar, ndërsa investimet në teknologji mbeten ende në nivele të ulëta.
Pengesat reale nuk janë vetëm te normat e interesit
Megjithëse programi ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e financimit, niveli i ulët i përdorimit të fondit tregon se problemet e aksesit në kredi për bizneset shqiptare janë më të thella dhe lidhen kryesisht me faktorë strukturorë.
Sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, pengesat kryesore përfshijnë nivelin e lartë të informalitetit, mungesën e kolateralit të mjaftueshëm, kapacitetet e kufizuara menaxheriale dhe planifikimin financiar të dobët të bizneseve. Nga ana tjetër, edhe bankat mbeten të kujdesshme për shkak të perceptimit të rrezikut, duke ruajtur standarde të forta kreditimi.
Kjo do të thotë se edhe një program me norma interesi të ulëta nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin e financimit, nëse nuk shoqërohet me reforma më të gjera në klimën e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë. Përmirësimi i transparencës financiare, forcimi i garancive ligjore dhe reduktimi i pasigurive administrative mbeten faktorë kyç për të rritur kreditimin në mënyrë të qëndrueshme.
Një instrument i përkohshëm, por me rol katalizator
PFBVM është konceptuar si një instrument i përkohshëm dhe i targetuar, me kufizime të qarta në kohë dhe volum, për të shmangur deformimet në tregun financiar dhe për të ruajtur orientimin e politikës monetare. Në këtë kuadër, ai nuk synon të zëvendësojë tregun, por të veprojë si katalizator për nxitjen e kreditimit dhe investimeve.
Në një ekonomi ku bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë pjesën dërrmuese të aktivitetit ekonomik, suksesi i këtij programi do të varet jo vetëm nga interesat e ulëta, por nga aftësia për të adresuar pengesat strukturore që kufizojnë zhvillimin e tyre. /ekofin.al

