Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) po rritet me shpejtësi në mbarë botën, ndërsa makineritë po fitojnë gjithnjë e më shumë aftësi për të kryer detyra pune që përkojnë me një numër të madh profesionesh.
Ende mbetet një situatë e pasigurt dhe nuk është e qartë se si AI do ta ndryshojë përfundimisht vendin e punës: a do të bëhet një asistent universal, apo do të zëvendësojë plotësisht shumë profesione?
Të dhënat nga Microsoft Research, dhe të përpunuara nga Visual Capitalist, analizojnë mënyrën se si njerëzit përdorën inteligjencën artificiale dhe sa afër përputheshin këto përdorime me aktivitetet profesionale.
Të dhënat pas profesioneve në rrezik nga AI
Për analizën, Microsoft vlerësoi 200,000 biseda të përdoruesve amerikanë në Copilot gjatë vitit 2024.
Fillimisht, u mat se sa mirë AI kryente detyrat e caktuara; më pas u analizua se sa të aplikueshme ishin këto detyra për çdo profesion. Çdo punë mori një vlerësim të përgjithshëm, ku një rezultat më i lartë tregonte ekspozim më të madh ndaj ndikimit të AI.
Në krye të listës renditen përkthyesit dhe interpretët, pasi 98% e funksioneve të tyre të punës përputheshin me detyrat që AI ishte në gjendje t’i përfundonte me sukses përmes Copilot.
Siç shihet, disa profesione të bazuara në dije — si historianët dhe shkrimtarët — kanë një shkallë të lartë përputhjeje. Ndërkohë, profesione që përfshijnë shërbim ndaj klientit, si asistentët e fluturimeve dhe përfaqësuesit e shërbimit ndaj klientit — që së bashku përfaqësojnë gati 3 milionë vende pune në SHBA — gjenden gjithashtu në dhjetëshen e parë.
Interesant është fakti se edhe pritësit dhe pritëset (host/hostess) shfaqin një nivel të lartë ekspozimi ndaj AI, megjithatë mbetet e paqartë nëse pronarët e restoranteve apo vetë klientët do të ndiheshin rehat me makina që kryejnë funksione në një ambient shërbimi ushqimor, të paktën në botën e sotme./ekofin.al


