Pas disa rasteve alarmuese të publikuara në media për praninë e aflatoksinës në produktet e bulmetit vjen reagimi i përbashkët i Shoqatës së Industrisë për Përpunimit të Qumështit dhe Shoqatës së Blegtorëve Prodhues.
Në deklaratën e përbashkët, Shoqata e Industrisë shqiptare të qumështit shprehet se duke filluar që nga fermerët e deri te përpunuesit, punohet çdo ditë në përputhje me ligjet dhe standardet më të larta të sigurisë ushqimore.
Proceset ekontrollit përfshijnë testime të rregullta të cilësisë dhe ndërhyrje të menjëhershme në rastet kur konstatohet nevoja për korrigjime.
Në deklaratën publike theksohet se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në këto lajme, lidhur me problematika të aflatoksinës.
Në një treg gjithnjë e më të hapur ndaj produkteve të importuara, është e dhimbshme të shohim që herë pas here përhapja e lajmeve të pabazuara rrezikon të dëmtojë punën dhe përpjekjet e mijëra fermerëve dhe përpunuesve shqiptarë, në një kohë kur mbështetja për prodhimin vendas është më e rëndësishme se kurrë, shprehet shoqata.
Industria dhe fermerët riafirmojnë përkushtimin për sigurinë, cilësinë dhe transparencën ndaj çdo familjeje shqiptare, përfundon deklarata.
