Treguesit e sektorit energjetik për tremujorin e tretë të vitit 2025, të publikuar nga INSTAT, tregojnë një situatë të tensionuar në furnizimin me energji elektrike në vend, të karakterizuar nga rënie e ndjeshme e prodhimit vendas dhe rritje e fortë e importeve.
Sipas INSTAT, energjia elektrike në dispozicion gjatë T3 2025 u ul me 1,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike ra me 31,3%, duke arritur në 1.075 GWh, nga 1.565 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2024.
Ky prodhim u realizua:
-
nga hidrocentralet publike, në masën 54,5%,
-
nga hidrocentralet private dhe koncesionare, në masën 16,5%,
-
dhe nga të tjerë prodhues, në masën 29,0% të prodhimit neto vendas.
-
Hidrocentralet publike prodhuan 586 GWh, nga 1.088 GWh në T3 2024, duke shënuar një rënie prej 46,1%.
-
Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 178 GWh, nga 292 GWh një vit më parë, një rënie prej 39,0%.
-
Të tjerë prodhues realizuan 311 GWh, nga 185 GWh të një viti më parë, duke shënuar një rritje prej 68,4%.
Importi bruto i energjisë elektrike në T3 2025 arriti në 1.260 GWh, nga 762 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke shënuar një rritje të fortë prej 65,3%.
Ndërkohë, eksporti bruto arriti në 312 GWh, nga 282 GWh, me një rritje prej 10,8%.
Si rezultat, shkëmbimi neto i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit) shënoi vlerën negative prej 948 GWh, duke reflektuar një deficit të thelluar energjie.
Humbjet në rrjet gjatë tremujorit të tretë 2025 arritën në 323 GWh, nga 344 GWh në T3 2024, duke regjistruar një rënie prej 5,9%.
Pesha e humbjeve në totalin e energjisë në dispozicion zbriti në 16,0%, nga 16,8% një vit më parë.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në T3 2025 ishte 1.700 GWh, nga 1.702 GWh në T3 2024, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,1%.
Ndikim kryesor në këtë rënie patën konsumatorët jo familjarë, të cilët reduktuan konsumin me 0,3%. Ndërsa konsumatorët familjarë shënuan një rritje të lehtë prej 0,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ekofin.al
