Prodhimi i birrës në Bashkimin Evropian ka shënuar një rritje të lehtë gjatë vitit 2024, duke ruajtur trendin pozitiv të viteve të fundit, por pa ndryshime të mëdha strukturore në renditjen e prodhuesve dhe eksportuesve kryesorë.
Sipas të dhënave nga Eurostat, në vitin 2024, vendet e Bashkimit Evropian prodhuan 32.7 miliardë litra birrë me më shumë se 0.5% alkool dhe 2 miliardë litra birrë me më pak se 0.5% alkool ose pa alkool fare, duke arritur në total 34.7 miliardë litra.
Krahasuar me vitin 2023, prodhimi i birrës me më shumë se 0.5% alkool në BE u rrit lehtë me 0.6% (+0.2 miliardë litra), ndërsa prodhimi i birrës me më pak se 0.5% alkool u rrit me 11.1% (+0.2 miliardë litra).
Lista e prodhuesve kryesorë në BE mbeti e pandryshuar në vitin 2024. Gjermania vijoi të kryesonte si prodhuesi më i madh i birrës me më shumë se 0.5% alkool, me 7.2 miliardë litra (22.2% e prodhimit total të BE-së), e njëjtë me vitin 2023. Gjermania u pasua nga Spanja me 4.0 miliardë litra (12.3%) dhe Polonia me 3.4 miliardë litra (10.6%). Në vend të katërt dhe të pestë renditen Holanda, me 2.2 miliardë litra (6.8%), dhe Belgjika me 2.1 miliardë litra (6.3%).
Holanda eksportuesi kryesor, Franca importuesja më e madhe
Duke ruajtur pozicionin si eksportuesja më e madhe e birrës, Holanda kryesoi në vitin 2024 me një total prej 1.5 miliardë litrash birrë me përmbajtje alkooli të eksportuar (brenda dhe jashtë BE-së). Megjithatë, krahasuar me vitin 2023, eksportet e saj ranë me 12% (-0.2 miliardë litra).
Pas Holandës, eksportuesit kryesorë ishin Gjermania dhe Belgjika (të dyja me nga 1.4 miliardë litra), Çekia (0.6 miliardë litra) dhe Irlanda (0.5 miliardë litra).
Përsa i përket importeve, Franca vijoi të jetë importuesja më e madhe e birrës me alkool në BE në vitin 2024, me 0.8 miliardë litra. Importues të tjerë të mëdhenj ishin Italia me mbi 0.7 miliardë litra, e ndjekur nga Spanja dhe Gjermania me nga pothuajse 0.6 miliardë litra secila, si dhe Holanda me pothuajse 0.5 miliardë litra.

