Çmimet e naftës ranë të hënën në mëngjes, pasi grupi OPEC+ rriti prodhimin për muajin shtator dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, anuloi një sulm të planifikuar ndaj Iranit, duke ushtruar presion në ulje mbi tregjet.
Çmimi i një fuçie nafte Brent për dorëzim në tetor ra me 5.16%, në 83.39 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat futures për naftën amerikane West Texas Intermediate (WTI) për dorëzim në shtator ranë me afro 6%, në 79.66 dollarë për fuçi.
Nafta u zhvlerësua pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedime të reja me Iranin do të nisnin më vonë gjatë ditës, duke zbutur shqetësimet për ndërprerje të mundshme të furnizimit. Presion shtesë erdhi edhe pasi Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani, anëtarë kyç të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të saj (OPEC+), ranë dakord në një takim online të dielën të rrisin prodhimin me 188 mijë fuçi në ditë duke filluar nga shtatori, në një kohë kur tregu vazhdon të ndikohet nga konflikti në Lindjen e Mesme.
“Në shtatë vendet pjesëmarrëse u vendos të zbatohet një rregullim i prodhimit prej 188 mijë fuçi në ditë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Rritja e prodhimit, e vendosur nga vendet kryesore të OPEC+, ishte gjerësisht e pritshme nga analistët.
“OPEC+ ka përfunduar tërheqjen graduale të shkurtimeve vullnetare të prodhimit. Sfida e radhës është menaxhimi i tepricës që mund të krijohet pasi eksportet të rikthehen në normalitet”, tha Jorge Leon, analist në kompaninë Rystad Energy.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ky vendim “ndryshon shumë pak situatën në afat të shkurtër, sepse Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e kufizuar. Ndikimi i vërtetë në treg do të ndihet vetëm kur eksportet të rikthehen plotësisht.”
Vendet e Gjirit kanë hasur vështirësi në rritjen e eksporteve të naftës për shkak të bllokimit pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit, të shkaktuar nga Irani gjatë luftës në Lindjen e Mesme, pavarësisht një rritjeje të përkohshme të trafikut detar pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në muajin qershor.
Shumë vende të OPEC+ nuk janë në gjendje të prodhojnë aq naftë sa parashikojnë kuotat e tyre zyrtare për shkak të “rënie së kapacitetit prodhues”, ndaj rritja e objektivave ka humbur një pjesë të rëndësisë së saj, tha Giovanni Staunovo, analist në bankën UBS.
Parashikohet një pauzë në tremujorin e katërt
Rritja e prodhimit për shtatorin, e miratuar nga Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani, përmbyll procesin e heqjes graduale të paketës së dytë nga tre paketat e shkurtimeve të prodhimit të miratuara nga OPEC+.
“Pasi ka përfunduar rikthimin e prodhimit, OPEC+ ka pak arsye për të bërë ndryshime të tjera të shpejta në furnizim. Skenari ynë bazë është një pauzë gjatë tremujorit të katërt, ndërsa grupi përgatitet për negociatat mbi kuotat e vitit 2027”, tha Jorge Leon.
“Për momentin, zhvillimet gjeopolitike po e fshehin përmasën reale të rritjes së furnizimit. Kjo do të bëhet shumë më e dukshme sapo eksportet të normalizohen”, shtoi ai.
Mbetet ende e paqartë se kur vendet e grupit do të jenë realisht në gjendje të rrisin prodhimin. Disa shtete anëtare, si Iraku, kanë shprehur dëshirën për të rritur ndjeshëm prodhimin.
Nga ana tjetër, Rusia po përballet me sulme të përsëritura me dronë nga Ukraina ndaj infrastrukturës së saj naftësjellëse, të cilat kanë kufizuar prodhimin në rreth 9 milionë fuçi në ditë, krahasuar me objektivin prej 9.8 milionë fuçi në ditë.
Sipas analistëve të DNB Carnegie, OPEC+ “do të përballet me negociata potencialisht të vështira për kuotat e reja të prodhimit”, që do të nisin vitin e ardhshëm pas rritjes së prodhimit në shtator.
Mes fundit të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, OPEC+ u shqetësua nga rënia e çmimeve të naftës dhe vendosi të ulë prodhimin në tre faza të veçanta, duke reduktuar prodhimin total me afro 6 milionë fuçi në ditë.
Megjithatë, Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – përpara se këto të fundit të largoheshin nga grupi më 1 maj – ndryshuan strategjinë duke filluar rritjen graduale të prodhimit që prej vitit 2025.
“Nuk mendoj se uniteti i grupit është aktualisht në rrezik”, tha Jorge Leon, duke paralajmëruar megjithatë se largimi i Emirateve të Bashkuara Arabe nga grupi në muajin maj ka nxjerrë në pah një dobësi në këtë drejtim./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
