Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe prezantohet Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe.
Fjalori u konceptua e përgjithësisht u realizua si një projekt mbarëkombëtar edhe nga institucione të tjera të mirëfillta kërkimore-shkencore: nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, disa universitete e institucione shkencore në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i Palermos e Universiteti i Kozencës në Itali etj.
Projekti i shtri në 4 vjet. Për të punuan një grup me mbi 55 bashkëpunëtorë e 25 hartues, me një redaksi prej 10 leksikografësh me përvojë.
Gjuha shqipe e kishte të domosdoshme e të ngutshme hartimin e një fjalori të madh. Ajo ishte ndër të rrallat gjuhë që nuk kishte një fjalor të tillë. Përdoruesi i saj si qytetar i thjeshtë, si shtetar, si politikan, si student, si mësues, si gazetar, si shkrimtar, si diplomat, si studiues, si përkthyes e kushdo që merret me të, kishte nevojë për një fjalor që të kishte të paktën një sasi fjalësh sa dyfishin e njësive (të fjalëve) të fjalorëve në qarkullim.
Vepra u projektua si një Fjalor me 90.000 fjalë e 10.000 njësi frazeologjike, por nga puna e bërë për të krijuar Korpusin / Database-n a kartotekën e veçantë solli lëndë të bollshme dhe në gjendjen e tanishme kemi këtë pasqyrë statistikore
Lënda leksikografike (fjalori i mirëfilltë) përfshin:
– 103.000 fjalë si fjalë-titull (mbi 2.5 herë më shumë se “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980)
– Rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie (të botës materiale dhe jomateriale)
– Rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore “të fshehura: (që nuk dalin në makrostrukturë si njësi të mëvetësishme)
– 11.500 njësi frazeologjike
– 1.400 shprehje të huaja të paasimiluara
– 1.200 shkurtesa / akronime
Gjithashtu, në Fjalor janë ndërtuar mbi 40.000 vargje sinonimike, të cilat po plotësohen edhe më gjatë redaktimit e verifikimit të mëtejshëm që po i bëhet veprës
Vepra deri tani ka mbi 23.000.000 karaktere dhe hapësira, të cilat kthehen a konvertohen në 9.200 faqe kompjuterike ose në 10.000 faqe A4.
Përmbledhtas, vepra ka gjithsej 124.000 njësi.
