Presidenti francez Emmanuel Macron nënshkroi të mërkurën ligjin për vdekjen e asistuar, pasi ai u la në fuqi nga Këshilli Kushtetues javën e kaluar.
Zyra e Macron përshëndeti vendimin e Këshillit të premten, i cili konsiderohet si një nga reformat më të rëndësishme sociale të mandatit të tij të dytë.
Vendimi “përmbyll një debat demokratik shembullor”, deklaroi Pallati Élysée, duke shtuar se legjislacioni “ofron një garanci thelbësore për bashkëqytetarët tanë”.
Ligji, i cili vendos të drejtën për vdekje të asistuar për disa të rritur që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, u miratua nga parlamenti në korrik, pas vitesh debatesh.
Vendimi i Këshillit Kushtetues bën që Franca t’u bashkohet Holandës, Belgjikës, Zvicrës dhe Kanadasë, vende që e kanë legalizuar tashmë këtë praktikë.
Vendimi përbën një fitore për Macron, i cili e kishte premtuar këtë ligj pas rizgjedhjes së tij në vitin 2022, duke shënuar një nga reformat më të mëdha sociale në Francë që prej legalizimit të martesave mes personave të së njëjtës gjini në vitin 2012.
Në të njëjtën kohë, autoriteti kushtetues vlerësoi se disa dispozita të ligjit kërkonin sqarime, përfshirë të ashtuquajturën klauzolë të ndërgjegjes, e cila u lejon profesionistëve të kujdesit shëndetësor të refuzojnë pjesëmarrjen në procedurë.
Sipas autoritetit kushtetues, kjo klauzolë duhet të zbatohet edhe për institucionet private shëndetësore ku vdekja e asistuar është “qartësisht në kundërshtim” me misionin e tyre, me kusht që këto institucione të mos jenë të vetmet që mund të përmbushin “nevojat lokale”. Ky përcaktim përmbush një nga kërkesat kryesore të institucioneve shëndetësore katolike.
Për të pasur të drejtën e vdekjes së asistuar, pacienti duhet të jetë në moshë madhore dhe të jetë shtetas francez ose rezident afatgjatë në Francë.
Ai duhet të vuajë nga dhimbje që nuk reagojnë ndaj trajtimit ose që, sipas vetë pacientit, janë të padurueshme, në rast se ai ka zgjedhur të mos marrë trajtim ose ta ndërpresë atë.
Një mjek është përgjegjës për të verifikuar nëse pacienti i plotëson kushtet, përpara se një panel të vlerësojë nëse kriteret janë përmbushur.
Vendimin përfundimtar e merr vetëm mjeku, ndërsa pacienti mund ta tërheqë pëlqimin e tij në çdo moment.
Pacienti do ta administrojë vetë substancën vdekjeprurëse. Përjashtim bëjnë personat që fizikisht nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, të cilët mund të ndihmohen nga një punonjës i kujdesit shëndetësor./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
