Mbi 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive do të përfitojnë rritjen në masën 8.6% të pensionit të tyre duke nisur prej 1 tetorit.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili informoi mbi vendimin e marrë dje në mbledhjen e qeverisë.
Vendimi parashikon indeksimin në masën 8.6 % të të gjitha kategorive të pensioneve, (pensionet e pleqërisë, pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet, në fshat, pensione që jepen për ndihma të posaçme shtetërore, etj.).
Zbatimi i këtij vendimi nis nga data 1 tetor dhe vetëm për periudhën tetor – dhjetor 2023 efekti financiar në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.
Kjo rritje, mbulon gjithë ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve (Indeksi i Çmimeve të Konsumit për pensionistët është i ndryshëm nga indeksi i popullatës, pasi merr në konsideratë ndryshimet e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët).
Krahas këtyre rritjeve, qeveria ka dhënë edhe bonuset, si ai i fundvitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit.
