Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një moment krenarie për të gjithë shqiptarët emërimin e Pranvera Kastratit në postin e drejtoreshës së re të Sekretariatit të CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore).
Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e këtij emërimi, duke nënvizuar se tashmë një përfaqësuese nga Shqipëria do të ketë një rol kyç në drejtimin e një strukture rajonale me rëndësi strategjike për bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Kryeministrit Rama, Kastrati do të punojë në mënyrë efektive me të gjitha palët për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s, si dhe për përmbushjen e angazhimeve të përbashkëta që synojnë integrimin ekonomik të rajonit dhe përshpejtimin e afrimit me tregun e vetëm të Bashkimit Europian.
Kush është Pranvera Kastrati?
Eksperte me përvojë në tregtinë ndërkombëtare dhe transformimin digjital, me mbi 25 vjet përvojë praktike. 22 vjet përvojë në formulimin dhe zbatimin e politikave tregtare dhe negociatat ndërkombëtare të tregtisë, e plotësuar më tej me përvojë në proceset me ndikim të transformimit digjital në Ballkanin Perëndimor.
Arritjet kryesore profesionale përfshijnë: Negociatore kryesore për marrëveshje të shumta tregtare ndërkombëtare të Shqipërisë; udhëheqëse për rishikimin e politikave tregtare të Shqipërisë brenda Organizatës Botërore të Tregtisë (2010, 2016); kryetare për përafrimin e legjislacionit kombëtar me kapitujt 3 dhe 30 të acquis të BE-së; udhëheqëse e punës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për negociatat e Marrëveshjes Rajonale të Roaming, futjen e “Roam Like At Home” në Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjen dhe zbatimin e Deklaratës së Roaming BE-Ballkani Perëndimor; bashkëkryetare e përgatitjes së Samiteve Digjitale të Ballkanit Perëndimor 2018-2023; ka udhëhequr përgatitjen teknike të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2021-2024 dhe negociatat për marrëveshjet mbi lëvizshmërinë e profesionistëve në Ballkanin Perëndimor.

