Qeveria e qendrës së djathtë në Portugali, e udhëhequr nga kryeministri Luís Montenegro, po propozon një nismë të guximshme që synon transformimin e vendit në një parajsë me taksa të ulëta për të rinjtë. Në një përpjekje për të frenuar ikjen e vazhdueshme të trurit dhe për të mbajtur fuqinë e saj punëtore rinore, qeveria po ofron lehtësime të konsiderueshme tatimore për ata që fillojnë karrierën e tyre. Ky plan dhjetëvjeçar, pjesë e propozim-buxhetit të vitit 2025, synon të ulë normat e tatimit mbi të ardhurat për punëtorët e rinj, ku viti i parë i punësimit të jetë plotësisht pa taksa.
Propozimi pasqyron nevojën urgjente të Portugalisë për të ndryshuar eksodin e individëve të rinj dhe të arsimuar, i cili ka qenë një sfidë e vazhdueshme për më shumë se një dekadë. Që nga viti 2008, më shumë se 360,000 të rinj të moshës 15-35 vjeç janë larguar nga vendi, shifër që përbën dy të tretat e emigrantëve gjatë kësaj periudhe. Shumë po largohen për punë më të paguara në vendet më të pasura evropiane, duke përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar ekonomike.
Plani i qeverisë Montenegro ofron një ulje të strukturuar të taksave për dhjetë vjet. Në vitin e parë të punësimit, punëtorët e rinj nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat. Nga viti i dytë deri në të katërtin, 75% e tatimit do të jetë i përjashtuar, e ndjekur nga 50% nga viti i pestë deri në të shtatin, si dhe 25% nga viti i tetë në të dhjetin. Ky reduktim i shkallëzuar është krijuar për të ofruar lehtësim të konsiderueshëm financiar, veçanërisht në fazat e hershme të karrierës kur potenciali i fitimit është më i ulët.
Megjithatë, e ardhmja e planit është e pasigurt. Qeveria, një pakicë e brishtë, do të paraqesë buxhetin në ditët në vijim, por mbetet e paqartë nëse do të ketë vota të mjaftueshme në parlament për të siguruar miratimin e tij. Qeveria e mëparshme socialiste kishte vendosur lehtësime tatimore për të rinjtë, por ato ishin të kufizuara vetëm për të diplomuarit. Propozimi i Montenegros, në të kundërt, është i hapur për të gjithë individët nën 35 vjeç, pavarësisht kualifikimit arsimor.
Portugalia ka qenë gjithmonë një vend emigrantësh, me rreth një të katërtën e popullsisë që jeton jashtë. Kjo është shifra më e lartë në Bashkimin Evropian. Vendi ka investuar mjaft në arsim, por shumicën e përfitimit e kanë marrë vendet më të pasura siç janë Franca dhe Gjermania, sepse të diplomuarit portugezë kërkojnë punë më të mirëpaguara.
Kjo iniciativë e qeverisë vjen në kohën kur vendi po përjeton rritje të popullsisë, falë edhe numrit të lartë të emigrantëve të huaj. Programe të tilla si viza e artë, e cila inkurajoi investimet nga emigrantët e pasur, po hiqen gradualisht, por lehtësimet e reja tatimore për të rinjtë do të jenë të hapura edhe për qytetarët joportugezë.
Propozimi ka hasur në skepticizmin nga organet ndërkombëtare si FMN, i cili ka vënë në pikëpyetje efektivitetin e masës së uljes së taksave për moshat e reja me origjinë emigrante. FMN-ja gjithashtu paralajmëroi se ky plan mund të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të Portugalisë. Kostoja e uljes së taksave llogaritet të jetë 650 milionë çdo vit, për të cilën FMN thotë se do të dobësojë aftësinë e vendit për të reduktuar borxhin publik, ndërkohë që duhet të mbajë investimet publike të nevojshme.
Në Portugali, ku paga mesatare vjetore është afërsisht 20.000 euro, punëtorët paguajnë një taksë prej 26% mbi të ardhurat. Për ata që fitojnë midis 21.000 dhe 27.000 euro, taksa rritet deri në 32.75%. Reduktimi i taksës së propozuar nga qeveria do të ulte në mënyrë domethënëse barrën financiare të punëtorëve të rinj mbi të ardhurat dhe do ta bënte më të lehtë për ta të qëndronin në Portugali. /Përgatiti: ekofin.al
