Ekonomia e Polonisë po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në Evropë. Në vitin 2025, vendi u rendit si ekonomia e gjashtë më e madhe në Bashkimin Evropian për nga PBB-ja nominale, duke përbërë pothuajse 5% të prodhimit të përgjithshëm të bllokut.
Sipas të dhënave të zyrës evropiane të statistikave, vlera e PBB-së së Polonisë me çmimet aktuale arriti në 922.9 miliardë euro në vitin 2025. Kjo do të thotë se Polonia përbënte 4.9% të ekonomisë së të gjithë Bashkimit Evropian.
Për nga madhësia ekonomike, mbi Poloninë renditen vetëm Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Holanda.
Gjermania mbetet në vend të parë, me një PBB prej 4.47 trilionë eurosh. Franca gjeneroi 2.99 trilionë euro, Italia 2.26 trilionë, Spanja 1.69 trilionë, ndërsa Holanda 1.17 trilionë euro.
Kjo e vendos Poloninë përpara Belgjikës, Suedisë, Irlandës dhe Austrisë.
Polonia kryeson Evropën Qendrore dhe Lindore
Polonia është me diferencë ekonomia më e madhe në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Për krahasim, PBB-ja e Rumanisë në vitin 2025 ishte 380.1 miliardë euro, ajo e Republikës Çeke 347.3 miliardë euro, ndërsa Hungarisë 218.8 miliardë euro.
PBB-ja e kombinuar e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian arriti në rreth 18.8 trilionë euro në vitin 2025.
Gjermania kishte pjesën më të madhe të kësaj ekonomie, me 23.8%, e ndjekur nga Franca me 15.9% dhe Italia me 12%.
Rritja e Polonisë është kryesisht rezultat i viteve të zhvillimit ekonomik, zgjerimit të industrisë, rritjes së eksporteve, si dhe rritjes së konsumit dhe investimeve.
Në vitin 2025, PBB-ja reale e Polonisë u rrit me 3.6%, ndërsa ekonomia e Bashkimit Evropian në tërësi u rrit me 1.5%.
Një ekonomi e madhe nuk do të thotë automatikisht standard të lartë jetese
Të dhënat e Eurostat tregojnë edhe anën tjetër të situatës. Madhësia e një ekonomie nuk tregon në vetvete se sa të pasur janë banorët e saj.
Kur PBB-ja llogaritet për frymë, Polonia mbetet ende nën mesataren e BE-së.
Sipas të dhënave të cituara nga Eurostat, PBB-ja për frymë në Poloni në vitin 2025 ishte më pak se 85% e mesatares së Bashkimit Evropian./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

