Ministria e Brendshme ka përfshirë në Planin Buxhetor Afatmesëm 2026–2028 një objektiv ambicioz dhe jetik për cilësinë e jetës dhe sigurinë publike në vend: uljen e kohës së reagimit të Policisë së Shtetit në vetëm 13 minuta. Objektivi synon rritjen e sigurisë publike dhe sigurisë rrugore përmes patrullimeve në rrugë, si dhe për rastet që kërkojnë ndërhyrje urgjente, si dhuna në familje, krimet kundër personit apo ngjarjet e rënda kriminale.
Përmes rritjes së patrullimeve rrugore dhe forcimit të modelit të policimit në komunitet, Ministria synon jo vetëm të parandalojë krimin, por edhe të sigurojë një ndërhyrje më të shpejtë e më efektive në situata të ndjeshme, ku minutat mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes.
Ky angazhim vjen në një kohë kur shifrat për kriminalitetin në vend kanë njohur një rritje shqetësuese. Sipas të dhënave të raportit, vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 17.761 persona të dëmtuar, një rritje me 4,3% krahasuar me vitin 2023. Nga këta, 37,9% janë viktima të krimeve kundër personit, ku femrat përbëjnë 38,8%, veçanërisht në veprat penale si dhuna në familje, krimet seksuale, kundër fëmijëve, moralit dhe dinjitetit. Vetë dhuna në familje është rritur me 11,9% në krahasim me një vit më parë, duke e bërë emergjente nevojën për përmirësimin e reagimit institucional.
Në mbështetje të këtij objektivi, PBA 2026–2028 parashikon edhe masa të tjera të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve operacionale të Policisë së Shtetit, ndër të cilat synohen 40,526 operacione policore të hetuara dhe të kryera përgjatë periudhës 2026–2028.
Po kështu synohet rritja e operacioneve speciale, nga 200 në vitin 2025 në 265 në vitin 2028, për kapjen e autorëve të veprave të rënda penale, si dhe ulja e numrit të vrasjeve me 2% çdo vit krahasuar me vitin paraardhës;
Sa i përket hetimeve për korrupsion, synohet rritje nga 421 raste në vitin 2025 në 440 në 2028, dhe për pastrim parash nga 253 në 280 në të njëjtën periudhë./ekofin.al

