Poetja, eseistja dhe përkthyesja kanadeze Anne Carson është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2026, një nga vlerësimet më prestigjioze në botë për krijimtarinë letrare.
Carson, 76 vjeçe, është vlerësuar për një krijimtari të veçantë që ndërthur poezinë, prozën, esenë dhe studimet akademike, duke sfiduar kufijtë tradicionalë mes gjinive letrare.
Akademia Suedeze e ka motivuar vendimin me kontributin e saj novator në letërsinë bashkëkohore, duke theksuar se autorja, përmes një dialogu krijues me traditën klasike, ka arritur të krijojë forma të reja të shprehjes letrare.
Çmimi Nobel për Letërsinë jepet për kontributin e përgjithshëm të një autori gjatë karrierës dhe shoqërohet me një shpërblim financiar prej 12 milionë koronash suedeze, ekuivalente me rreth 1.2 milionë dollarë amerikanë ose 900 mijë paund britanikë.
Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, ka treguar se e ka njoftuar personalisht Carson përmes telefonit, pak përpara shpalljes publike të vendimit.
Sipas Carlberg, poetja ndodhej në Islandë në momentin kur mori lajmin e fitimit të çmimit.
“Ajo arriti të më tregonte se për momentin ndodhej në Islandë, ku po dëgjonte erën”, u shpreh Carlberg, duke përshkruar një moment të veçantë të komunikimit me fituesen.
Ajo shtoi se Carson ishte surprizuar nga vendimi, por njëkohësisht ishte shumë e lumtur, gjë që dallohej qartë nga zëri i saj gjatë bisedës telefonike.
Anne Carson është e njohur ndërkombëtarisht për mënyrën se si ndërthur letërsinë moderne me trashëgiminë kulturore dhe filozofike të Greqisë së lashtë.
Përveç krijimtarisë së saj origjinale, ajo ka përkthyer vepra të letërsisë së lashtë greke dhe ka ushtruar profesionin e profesoreshës së studimeve klasike për më shumë se 30 vjet.
Puna e saj karakterizohet nga eksperimentimi me strukturën e tekstit dhe kombinimi i poezisë me reflektimin filozofik, historinë dhe analizën akademike.
Me këtë vlerësim, Carson i bashkohet listës së autorëve që kanë marrë çmimin më të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e letërsisë, duke u njohur për ndikimin e tyre në zhvillimin e mendimit dhe krijimtarisë letrare.
