Nga Mirilda Tili
A po na bën teknologjia të dhënë më shumë pas kafshëve apo ata që kanë aftësi paguese shpenzojnë më lehtë për kafshët se sa për njerëzit? Kjo ka qenë pyetja që më ka shooqëruar gjatë gjithë kësaj jave, pasi kam njohur 4 start-up në “Founders game”.
Të katërt start up-e të prezantuara tregojnë qartë një trend të ri global: inovacioni dhe kapitali po orientohen gjithnjë e më shumë drejt eksperiencës personale, teknologjisë së përditshme dhe sidomos kujdesit për kafshët shtëpiake. Shumë mirë, por a është kjo ajo që vërtet na bën më të lumtur dhe më të përkujdesur për njëri-tjetrin?!
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se një pjesë e madhe e teknologjisë së re nuk po fokusohet te nevojat bazike të njerëzve, por te mirëqenia, emocionet dhe komoditeti i kafshëve, duke reflektuar edhe gatishmërinë në rritje të konsumatorëve për të shpenzuar më shumë për to. Po i prezantoj të katër iniciativat për të ndarë dhe më pas kuptar se çfarë po ndodh:
Udhëtime dhe modë për kafshët
Pet Travel Advisor, platforma e Andrea Mladin, synon të transformojë turizmin për pronarët e kafshëve shtëpiake përmes inteligjencës artificiale.
Platforma ndihmon përdoruesit të gjejnë destinacione, hotele dhe shërbime “pet-friendly” në më shumë se 25 vende. Prezantimi në Tiranë u bë përmes organizimit të shfaqjes së parë të modës për qen në Shqipëri.
Kompania po pozicionohet në një treg që pritet të arrijë rreth 4 miliardë dollarë deri në vitin 2030, duke treguar se kafshët po ndikojnë gjithnjë e më shumë edhe industrinë globale të turizmit.
Inteligjenca artificiale që “lexon” qentë
Dog’s true voice zhvillon një qafore inteligjente që monitoron emocionet, stresin dhe shëndetin e qenve në kohë reale.
Përmes sensorëve dhe AI, platforma u tregon pronarëve në telefon kur kafsha është në ankth, e stresuar apo ka probleme shëndetësore.
Start up-i po hyn në një treg që pritet të arrijë 5.8 miliardë euro deri në vitin 2030, duke e kthyer kujdesin emocional për kafshët në një industri të re teknologjike.
Energjia si pronësi qytetare
Energy Shift sjell një model tjetër inovacioni: qytetarët të investojnë dhe të bashkëzotërojnë projekte të energjisë diellore.
Platforma ka mbi 2 mijë përdorues dhe më shumë se 25 milionë euro investime të angazhuara në energjinë e rinovueshme. Si sart-up synon të përfshijë qytetarët në financimin e projekteve fotovoltaike dhe të krijojë modele të reja të pronësisë energjetike.
Pagesat me fytyrë
PayByFace prezantoi në Tiranë teknologjinë e pagesave përmes njohjes së fytyrës.
Ideja është që në të ardhmen njerëzit të mos përdorin më karta, para apo telefona, por fytyrën si identitet pagese.
Start up-i e prezantoi konceptin përmes një instalacioni publik, duke synuar ta kthejë pagesën biometrike në pjesë të jetës së përditshme.
Inovacioni po zhvendoset te emocionet dhe eksperienca
Ajo që bashkon këto start up-e është fokusimi te sjellja dhe emocionet e konsumatorit modern.
Dy prej tyre ndërtojnë biznesin mbi kafshët shtëpiake, një treg që po rritet me ritme shumë më të shpejta se shumë sektorë tradicionalë. Kjo tregon se njerëzit janë gjithnjë e më të gatshëm të investojnë për komoditetin, kujdesin dhe mirëqenien e kafshëve të tyre, duke krijuar industri të reja me miliarda euro potencial. Plotësisht dakord që 4- putroshët të marrin vëmendjen e tyre, por a po tregojmë të njëjtin kujdes edhe ndaj qenies humane?
