Gjatë 6-mujorit të parë të vitit borxhi i klientëve ndaj OSHEE pësoi rënie në raport me dhjetorin e vitit 2023, duke shënuar përmirësim të gjendjes debitore.
Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, vlera për detyrime të papaguara ndaj OSHEE nga klientët familjarë, institucionet shtetërore, ujësjellësit dhe bizneset deri në fund të muajit qershor arriti në 79.01 mld lekë, nga 80.89 mld lekë që ishte në fund të vitit 2023.
Kjo ulje e borxheve totale vjen si pasojë e uljes së detyrimeve të papaguara, kryesisht nga klientët familjarë dhe biznese. Ndërkohë që stoku i borxhit për institucionet shtetërore, si dhe i klientëve jobuxhetorë, ku përfshihen ujësjellësit shënoi rritje.
Kështu, stoku i detyrimeve të prapambetura për familjarët u ul në 44.3 mld lekë, nga 45.4 mld lekë, ndërkohë që për kategorinë e bizneseve borxhi u ul në 10.50 mld lekë, nga 11.69 mld lekë që ishte në fund të vitit që shkoi.
