Përmbytjet që kanë goditur vendet e Evropës Qendrore gjatë ditëve të fundit të shtatorit sollën disa viktima, por edhe shumë dëme materiale. Sipas vlerësimeve të para, të bëra nga ekspertët, dëmet e deritanishme përllogariten në rreth 1 miliardë Euro, por kjo përsëri mund të jetë një faturë provizore, duke qënë se stuhia “Boris” vijon të shkaktojnë dëme në kontinent.
Një nga shtetet më të goditura, aty ku u shënua edhe numri më i madh i jetëve të humbura, është Republika Çeke. Megjithatë, në mesin e kësaj situate aspak të favorshme, për çekët lajm i mirë është se ky vend rezulton të ketë mbulim të konsiderueshëm sigurimi për fatkeqësitë natyrore krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit.
Sipas ekspertëve, dëmtimi i infrastrukturës, ndërtesave dhe rritja e shpenzimeve për ndihma mund të shkaktojë gjithashtu një ulje të prodhimit dhe aktivitetit ekonomik. Këta faktorë zakonisht çojnë në një ndikim negativ në buxhete dhe tregti, që shfaqet si rritje e deficitit dhe përkeqësim i bilancit tregtar, për shkak të uljes së eksporteve dhe rritjes së importeve.
