Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në qarkun e Beratit, ku PS ka marrë 36863 vota, PD 19486 vota, ndërsa Shqipëria Bëhet 4555 vota, por pa arritur të prodhojë një mandat deputeti.
Në këtë qark, PS ka siguruar sërish 5 mandate si në vitin 2021, kurse PD 2. Vlen të theksohet se PS ka marrë 58.1% të votave, përfshirë votat e diasporës, ku në veçanti ka performuar shumë mirë ndaj PD-së.
Ervin Demo si kryetar i Bashkisë së Beratit dha dorëheqjen nga posti për t’u bërë drejtues politik i qarkut dhe arriti t’ia dalë me sukses, madje duke rritur me 2.2% mbështetjen për socialistët në këtë garë zgjedhore.
Në një intervistë për mediat, ai theksoi se PS zhvilloi një fushatë të përqendruar te qytetari dhe kjo u shpërblye në mbështetje të gjerë. Ai u shpreh se përfaqësimi i qytetarëve të Beratit në Kuvend do të jetë një privilegj për të.
PS me 5 mandatet e siguruara në këto zgjedhje në qarkun e Beratit përveç mandatit të Ervin Demo dhe Enriketa Jaho nga lista e mbyllur pritet të ketë në Kuvend edhe Hysen Buzali, Fadil Nasufi dhe Hatixhe Konomin, e cila rezulton e katërta, por përfshihet për kuotat gjinore.
Ndërsa PD merr 2 mandate, ku në Kuvend futen dy deputetë nga lista e mbyllur, Enno Bozdo dhe Zija Ismaili. Përgjithësisht, votimet në qarkun e Beratit ishin të qeta, ndërsa edhe numërimi vijoi normalisht, duke përfunduar paraditen e sotme. /ekofin.al

