Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare thekson në raportin e tij vjetor se Shqipëria po avancon me kuadrin ligjor dhe rregullator për zbatimin e modelit “Roam Like At Home” (RLAH) me Bashkimin Evropian, ndërsa përdorimi i shërbimeve roaming nga qytetarët shqiptarë në vendet e Ballkanit Perëndimor vijon të mbetet i lartë.
Sipas raportit, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKEP ka kontribuar në hartimin e një pakete të plotë rregullatore që synon krijimin e bazës ligjore dhe teknike për eliminimin e tarifave shtesë roaming ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Raporti vlerëson se kjo qasje synon të garantojë jo vetëm përputhshmëri ligjore me standardet evropiane, por edhe zbatueshmëri efektive në praktikë, duke ruajtur balancën mes mbrojtjes së konsumatorit dhe qëndrueshmërisë ekonomike të operatorëve celularë.
AKEP evidenton se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes rajonale për eliminimin e tarifave roaming në Ballkanin Perëndimor më 1 korrik 2021 dhe marrëveshjes për uljen graduale të tarifave mes rajonit dhe Bashkimit Evropian më 1 tetor 2023, përdorimi i shërbimeve roaming nga pajtimtarët shqiptarë ka ndryshuar ndjeshëm.
Numri i përdoruesve shqiptarë që kanë përdorur roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor arriti në rreth 835 mijë në vitin 2025, me një rënie të lehtë prej 3% krahasuar me vitin 2024. Sipas të dhënave të raportit, numri i pajtimtarëve që përdorën roaming në rajon ishte 442,420 në vitin 2021, 600,500 në vitin 2022, 815,620 në vitin 2023, 856,854 në vitin 2024 dhe 835,322 në vitin 2025.

Ndërkohë, përdorimi i internetit në roaming ka vijuar të rritet me ritme të forta. Në vitin 2025, trafiku i internetit në roaming rezultoi rreth 35% më i lartë krahasuar me vitin 2024.
Sipas raportit të AKEP, volumi i përdorimit të internetit në roaming u rrit nga 199,720 GB në vitin 2021, në 608,567 GB në vitin 2022, 871,824 GB në vitin 2023, 1,203,606 GB në vitin 2024 dhe arriti në 1,622,666 GB në vitin 2025.
Në një perspektivë më afatgjatë, raporti thekson se trafiku i internetit mobil në roaming është rritur nga rreth 25,487 GB në vitin 2020 në rreth 1.62 milionë GB në vitin 2025.
Në të kundërt, trafiku i SMS-ve ka shënuar rënie të fortë, duke zbritur nga 19.4 milionë mesazhe në vitin 2023 në rreth 2.95 milionë mesazhe në vitin 2025.
AKEP thekson se trafiku i thirrjeve ka mbetur relativisht i balancuar, me thirrjet dalëse që përbëjnë rreth 55% të totalit. Sipas AKEP, komunikimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt aplikacioneve dhe shërbimeve të bazuara në internet, duke reduktuar përdorimin tradicional të SMS-ve dhe, në një masë më të vogël, të thirrjeve zanore. /ekofin.al

