NGA ALTAX
Shqipëria po përballet me dy sfida të mëdha që po ndryshojnë strukturën e saj demografike dhe ekonomike: plakja e popullsisë dhe emigracioni masiv. Këto dy fenomene janë të ndërlidhura dhe po ndikojnë ndjeshëm në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe rritjen ekonomike të vendit. Ndërsa shumë vende të zhvilluara kanë përjetuar fenomene të ngjashme, Shqipëria ndodhet në një situatë më të ndërlikuar për shkak të emigracionit masiv të të rinjve dhe nivelit të ulët të lindshmërisë.
Për të përballuar këto sfida, nevojiten politika të menduara mirë, të cilat jo vetëm të zbusin pasojat negative, por edhe të krijojnë një mjedis të favorshëm për rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale. Eksperiencat e vendeve të tjera tregojnë se një kombinim i masave sociale, ekonomike dhe rajonale mund të ndihmojë në adresimin e këtyre çështjeve.
Një nga faktorët kryesorë që po përshpejton plakjen e popullsisë në Shqipëri është rënie e ndjeshme e lindshmërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, norma e lindshmërisë në Shqipëri është rreth 1.3 lindje për grua, shumë më e ulët se niveli i zëvendësimit të popullsisë prej 2.1 lindjesh për grua. Ky trend është i ngjashëm me disa vende të Europës Lindore, si Bullgaria (1.5) dhe Rumania (1.6), por ndryshe nga vendet si Franca (1.8) dhe Suedia (1.7), të cilat kanë politika aktive për të nxitur lindshmërinë.
Për ta adresuar këtë problem, duhen politika që stimulojnë lindjet dhe mbështesin familjet e reja.
Subvencione për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë në një masë më të madhe dhe të diferencuar progresivisht sipas zonave më të shpopulluara të vendit. Shtete si Franca dhe Hungaria kanë aplikuar politika mbështetëse për familjet e reja përmes ndihmave financiare direkte, që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e lindshmërisë.
Rritja e investimeve në çerdhe dhe kopshte është një element në dukje jo ndikues, por në fakt krijon siguri të fortë për tu lidhur me vendin dhe për ti shërbyer atij. Një sistem i mirë i kujdesit për fëmijët ndihmon prindërit, veçanërisht gratë, që të rikthehen më shpejt në tregun e punës, duke reduktuar ndikimin e mungesës së fuqisë punëtore.
Zgjerimi i lejes së lindjes me pagesë dhe fleksibiliteti në punë kanë patur efekte, por duhet të harmonizohen me zbatimin në praktikë, pasi pagat e ulëta dhe moszbatimi I ligjit e bëjnë nul këtë masë të rëndësishme. Modelet e ndjekura nga vendet nordike tregojnë se balancimi i punës dhe jetës familjare ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e normës së lindshmërisë.
Një faktor tjetër është rritja e jetëgjatësisë. Në vitet e fundit, jetëgjatësia mesatare në Shqipëri ka arritur 78.5 vjet, duke e rritur barrën mbi sistemin e pensioneve dhe shëndetësinë. Ky fenomen ka qenë i zakonshëm në vendet e BE-së, por ata kanë sisteme më të zhvilluara sociale për ta përballuar këtë sfidë. Në kontrast, sistemi i pensioneve në Shqipëri është nën presion për shkak të uljes së numrit të kontribuuesve.
Me uljen e lindshmërisë dhe emigrimin e të rinjve, popullsia aktive po zvogëlohet. Sipas Bankës Botërore, nëse ky trend vazhdon, popullsia në Shqipëri mund të bjerë në 2 milionë deri në vitin 2050. Kjo do të krijojë mungesë të fuqisë punëtore, siç ka ndodhur në vende si Italia dhe Gjermania, të cilat kanë përdorur politika imigracioni për të kompensuar humbjet në tregun e punës.
Plakja e popullsisë po rrit presionin mbi sistemin e pensioneve dhe kërkon reforma të menjëhershme, përveç atyre që po mendohet të shpallen në mënyrë të njëanshme nga qeveria, që kërkon të përfitojë politikisht nga ky process më shumë se sa po gjen zgjidhje që duhet të ishin adresuar ndër vite.
Rritje graduale e moshës së pensionit është një element për adresim, por është pak nëse nuk harmonizohet me masa të tjera. Gjermania dhe Italia kanë implementuar reforma për ta përshtatur moshën e daljes në pension me jetëgjatësinë, duke reduktuar barrën mbi skemat pensionale.
Krijimi i programeve për punësimin e të moshuarve është një nismë e vonuar, por që ende nuk ka një qartësi se si do të bëhet massive në zbatim. Disa vende kanë zbatuar politika për të mbajtur të moshuarit në tregun e punës përmes kushteve të përshtatshme dhe lehtësirave fiskale.
Lehtësimi i politikave të imigracionit për punëtorë të kualifikuar janë nisma që kanë filluar të funksionojnë, por Shqipëria nuk përmbush standarte të larta për imigrantët dhe kjo politikë ka pak gjasa të ketë ndikim të dukshëm. Kanadaja dhe Gjermania kanë zhvilluar programe specifike për të tërhequr punëtorë të huaj në sektorë me mungesa të theksuara të fuqisë punëtore.
Shqipëria ka përjetuar një nga nivelet më të larta të emigracionit në Europë. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm tek profesionistët si mjekët, inxhinierët dhe specialistët e IT-së, të cilët largohen për paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Ky trend është i ngjashëm me atë të Rumanisë, e cila ka humbur mbi 3.4 milionë banorë në dekadat e fundit.
Emigracioni masiv, sidomos i fuqisë punëtore të kualifikuar ka krijuar boshllëqe të mëdha në tregun shqiptar të punës. Për të frenuar këtë trend, nevojiten politika të fuqishme që e bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për punëtorët e saj.
Rritja e pagës minimale dhe përmirësimi i kontratave të punës: duhet të jenë object I diskutimit të madh në këto momente të zgjedhjeve të reja politike. Në vendet e zhvilluara, paga e denjë dhe siguria në punë janë faktorë kryesorë që ndikojnë në vendimmarrjen për të qëndruar në vend.
Ulja e informalitetit dhe forcimi i mbrojtjes së punonjësve duhet që po ashtu të jetë pjesë e një konsensusi dhe gjithpërfshirje kombëtare, për të mos u bërë vetëm object përfitimi dhe abuzimi politik.Në Shqipëri, një pjesë e madhe e punës është e padeklaruar, duke lënë punonjësit pa mbrojtje ligjore dhe përfitime sociale, Por ky fakt nuk ka shërbyer për asnjë motivim të gjithë vendimarrësve dhe ndikuesve në politika për ta shfryrë si fenomen duke e trajtuar nga të gjitha anët dhe jo thjesht nga interesa afatshkurtar dhe dritëshkurtra.
Politika për kthimin e profesionistëve nga jashtë është pak ose apak efikase deri më sot. Skemat e lehtësirave tatimore dhe mbështetja financiare për startupe janë përdorur me sukses nga vende si Irlanda dhe Lituania për të rikthyer talentet e larguara, por jo nga Shqipëria.
Një faktor kryesor që ndikon në emigracionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar është pabarazia midis rajoneve. Për të zvogëluar këtë pabarazi, nevojiten investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe ekonomi locale, që deri më sot janë orientuar politikisht dhe jo ekonomikisht.
Investime në infrastrukturë dhe shërbime publike janë hapur në shumë fronte dhe kantjere, por efekti promovues për ndërlidhjen dhe katalizimin e burimeve ende nuk është arritur si dhe ku duhet.
Subvencione për sektorin bujqësor dhe agroturizmin janë duke u dhënë, por me pikatore dhe jo nën dritën e qartësisë së barazisë, por me probleme të mprehta të patronazhimit politik të tyre. Disa vende, si Italia dhe Spanja, kanë përdorur modele të subvencionimit për të rigjallëruar zonat rurale dhe për të krijuar mundësi të reja punësimi.