Nga Joniada Koçi
2025…
Ti nuk më kurseve.
E nise me tronditje, me frikë e pasiguri.
Me një lajm që më përmbysi çdo qetësi, që më bëri të njoh peshën e ankthit dhe të shpresës në të njëjtën frymë.
Net pa gjumë, ditë të gjata, zemra që rrinte pezull mes lutjeve dhe frikës së pashprehur.
Në mes të gjithë kësaj stuhie, u drodh edhe ajo – nëna ime. Sikur dhimbja për të birin t’ia kishte rënduar shpirtin më shumë sesa trupi mund ta përballonte. U përpoqa ta shpëtoj, t’i jap forcë, ta mbaj gjallë… por nuk munda.
Dhe me të, një pjesë e shpirtit tim u shua.
Në heshtjen që la pas, qëndron babai, një burrë i moshuar, i thyer, i lodhur nga mungesa e gruas që deshi dhe dashuroi për mbi gjysmë shekulli.
Duhej të isha aty edhe për të.
Të isha vajza, mbështetja, fjala e butë dhe drita e një shtëpie që s’kishte më zë gruaje.
Ndërkohë jeta kërkon ritmin e saj.
Një punë e re, përgjegjësi të reja, pritshmëri të larta.
Duhet të ideoja, të krijoja, të buzëqeshja, të flisja, të reflektoja forcë, ndërsa brenda vetes luftoja për të mos u rrëzuar.
Të gjithë më kërkojnë mua dhe unë mësoj të jem gjithçka për të tjerët, edhe atëherë kur vetes nuk i përgjigjem dot.
E megjithatë, ti, 2025… me gjithë plagët që më hape, më ndërtove sërish, por ama ndryshe.
Ndërtove një grua tjetër, më të heshtur, më të fortë, më të thellë.
Një grua që e di tashmë se dashuria e nënës nuk shuhet me trupin, por jeton në çdo frymë, në çdo rrahje zemre, në çdo kujtim…
Por përtej gjithë forcës që më mësove, unë mbetem ajo që kam qenë gjithmonë, vockëlorja e nënës time dhe do të jem e tillë, deri ditën që do ta përqafoj sërish.
Tani që po të përcjell, të them faleminderit për gjithçka, edhe përmes dhimbjes.
Dhimbja nuk është dobësi, është dashuri që s’ka më vend ku të pushojë, prandaj rri brenda nesh.
Nënat nuk ikin kurrë, ato vetëm shndërrohen në dritë për rrugën tonë, derisa t’i takojmë përsëri.
Dhe sot, në prag të Vitit të Ri, urimi im shkon për të gjitha nënat, ato që ju mbajnë për dore dhe për ato që tashmë na ruajnë nga qielli.
Gëzuar dhe Falëminderit për dashurinë që nuk njeh kufi, për forcën që na e lini trashëgimi, për dritën që nuk fiket, as kur jeta ndalet.
Gëzuar!
