Pasuritë e përfituara nga aktivitete kriminale po kthehen në shërbim të komunitetit dhe arsimit profesional. Në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, më e madhja në vend, janë pajisur 8 klasa me bazën e nevojshme materiale, duke krijuar kushte më të mira për procesin mësimor. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe drejtues të arsimit profesional vizituan klasat e pajisura me logjistikën e nevojshme për zhvillimin e praktikës profesionale.
Duke u ndalur te burimi i këtyre pajisjeve, Ministrja theksoi rëndësinë e përdorimit të aseteve të sekuestruara në funksion të interesit publik. “Po bëjmë të mundur që të gjithë pasuritë edhe asetet që janë vendosur në formë kriminale apo për shkak të korrupsionit, pra aktiviteteve të paligjshme, të gjithë këto pasuri tashmë po kthehen në dobi të komunitetit, në dobi të qytetarëve, të atyre që kanë më shumë nevojë dhe në dobi të shoqërisë”, nënvizoi Ministrja.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj pohoi se sot çdo gjë po shkon drejt inovacionit, ndaj duhen krijuar sa më shumë kapacitete në këtë sektor. “Fokusi ynë është që shkollat profesionale t’i përmirësojmë, jo vetëm në drejtim të cilësisë së mësimdhënies e të shkollimit, por edhe në drejtim të ambienteve e të pajisjeve, të laboratorëve, pasi pa këto të fundit, sado i mirë të jetë edukimi apo cilësia e mësuesve, nuk arrihen dot rezultate. Ne jemi përqendruar në strukturat e mësimdhënies, laboratorët, por edhe konviktet, pasi ka raste që nxënës apo studentë që duan të ndjekin arsimin profesional nuk kanë pranë qendrave të banimit shkolla, por do bëjmë që konviktet të jenë me kushte të mira. IT sot është çelësi i suksesit për çdo të ri e të re. Nuk ka asnjë institucion publik apo privat, që të mos ketë nevojë për këtë sektor”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
