Banka e Shipërisë ka propozuar një sërë ndryshimesh thelbësore në rregulloren që rregullon licencimin dhe aktivitetin e zyrave të këmbimit valutor, duke synuar rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit financiar dhe përafrimin me legjislacionin kundër pastrimit të parave.
Subjektet që kërkojnë licencë do të duhet gjithashtu të justifikojnë origjinën e kapitalit, përfshirë edhe deklaratë noteriale për mungesën e huazimeve.
Futja e konceptit të “pronarëve përfitues”në rregulloren e re kërkon identifikimin e pronarëve përfitues dhe regjistrimin e tyre në sistemin përkatës, si pjesë e dokumentacionit të licencimit.
Projekteregullorja vendos kriter arsimor minimal për administratorët: diploma master ose ekuivalente në fushën e arsimit. Gjithashtu, parashikohet verifikimi i reputacionit të mirë si kusht për miratimin e licencës.
Sistemi ERRS (Elektronik i Raportimit Rregullator) përmendet si kanali i ri për raportimet. Rregullorja përcakton gjithashtu bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadër të analizës së aplikimeve dhe veprimtarive të subjekteve.
Për të frenuar qarkullimin informal të parasë, transaksionet cash mbi 1 milion lekë do të lejohen vetëm nëpërmjet llogarive bankare. Gjithashtu, ndalohet mbajtja ditore e shumave cash mbi nivelin e kapitalit fillestar. Më konkretisht: Subjekti i licencuar, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor:
a) nuk mban në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal të parashikuar në pikën 1 të nenit 8 të kësaj rregulloreje;
b) nuk kryen transaksione në para fizike (cash), të cilat tejkalojnë një shumë prej 1,000,000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë shumën 1,000,000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, kryhen nëpërmjet llogarivebankare ose llogarive të pagesave.
Subjekti ka detyrimin të njoftojë strukturat përkatëse të Policisë Vendore për adresën ku do të hapen zyrat si dhe të pajiset për ambientet në të cilat do të ushtrojë veprimtarinë e tij me dokumentin“Vërtetim Sigurie”, lëshuar nga Drejtoritë Vendore të Policisë, siç parashikohet në nenin 13, pikat 5 dhe 6 të rregullores 48/2024 “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet në të cilat kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare”.
Këto dokumente duhet të jenë të disponueshme kur Banka kryen inspektimin sipas parashikimit të rregullores.
Gjithashtu, subjekti, në përputhje me natyrën, madhësinë, kompleksitetin e veprimtarisë dhe profilin e rrezikut të tij, mund të krijojë njësinë e kontrollit të brendshëm. Krijimi i njësisë së kontrollit të brendshëm bëhet me vendim të organeve drejtuese të subjektit, ku përcaktohen në mënyrë të qartë, përbërja, kompetencat dhe rregullat e funksionimit të saj.
Projektrregullorja rrit gjobat maksimale nga 100 mijë në 1 milion lekë për shkelje të ndryshme. Pezullimi i licencës zgjatet në tre muaj, me ndalim të plotë të aktivitetit gjatë kësaj periudhe.
Po kështu, subjektet që ndërpresin aktivitetin për periudha 1–3 mujore do të duhet të njoftojnë zyrtarisht dhe të ndjekin një procedurë të veçantë dokumentacioni. Është parashikuar edhe mundësia për rifillim të shqyrtimit të licencës me dokumente të reja brenda 30 ditëve.
Tarifat për licencim dhe pajisje me kartë kambisti dyfishohen, duke shkuar në 3,000 lekë dhe 1,000 lekë përkatësisht. /ekofin.al