Zyrat e këmbimit valutor mbeten në vëmendje të autoriteteve dhe në vitin 2025 ka patur një fokus të shtuar nga Banka e Shqipërisë, në një kohë kur këto subjekte vlerësohen nga institucionet ndërkombëtare si ndër më të ekspozuarat ndaj rrezikut të pastrimit të parave. Në një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash dhe flukse të konsiderueshme valutore nga turizmi, remitancat dhe sektori i pasurive të paluajtshme, mbikëqyrja e këtij segmenti është kthyer në një prioritet të qartë për Bankën Qëndrore.
Të dhënat e raportit vjetor tregojnë për një ndërhyrje të fortë në këtë treg: gjatë vitit janë licencuar 33 zyra të reja këmbimi valutor, por paralelisht janë revokuar 83 licenca ekzistuese. Në fund të vitit 2025, në treg operonin 592 zyra, duke reflektuar një proces të qartë pastrimi dhe konsolidimi të sektorit.
Përtej lëvizjeve në licencim, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar edhe kontrollet në terren. Gjatë vitit janë kryer inspektime të drejtpërdrejta në 26 zyra këmbimi valutor, të cilat kanë përfshirë jo vetëm verifikimin e përputhshmërisë me rregulloret, por edhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga kontrollet e mëparshme. Në një rast, inspektimi është realizuar në bashkëpunim me autoritetin përgjegjës për inteligjencën financiare, duke sinjalizuar rritjen e koordinimit institucional në luftën kundër pastrimit të parave.
Një tjetër element i rëndësishëm ka qenë fushata e ndjekjes së raportimeve pranë Bankës së Shqipërisë, e zhvilluar gjatë muajve shkurt–mars. Si rezultat i këtij procesi, janë marrë rreth 200 masa administrative ndaj zyrave të këmbimit valutor, ndërsa në disa raste është shkuar deri në heqje licence. Kjo tregon një qasje më të ashpër ndaj shkeljeve, sidomos në drejtim të raportimit të transaksioneve dhe respektimit të kuadrit kundër pastrimit të parave.
Zyrat e këmbimit valutor konsiderohen tradicionalisht si subjekte me risk të lartë në raportet e organizmave ndërkombëtarë, për shkak të natyrës së aktivitetit të tyre – transaksione të shpejta, shpesh në cash dhe me mundësi të kufizuar gjurmimi krahasuar me sistemin bankar. Për këtë arsye, standardet për identifikimin e klientit, raportimin e transaksioneve të dyshimta dhe mbajtjen e dokumentacionit janë thelbësore.
Në këtë kontekst, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2025 sinjalizojnë një përpjekje për të reduktuar hapësirat për abuzim dhe për të rritur transparencën në këtë segment. Revokimi i një numri të konsiderueshëm licencash dhe vendosja e masave administrative sugjerojnë se një pjesë e operatorëve nuk kanë përmbushur standardet e kërkuara. /ekofin.al

