Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë çështjes së pastrimit të parave dhe fokusi kryesor për këtë edhe gjatë vitit të kaluar kanë qënë zyrat e këmbimit valutor. Sipas të dhënave të Raporti të Mbikëqyrjes, në total, janë zhvilluar 48 ekzaminime me fokus rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, nga të cilat 37 janë kryer në zyrat e këmbimit valutor.
Gjatë inspektimeve në zyrat e këmbimit valutor janë vërejtur një sërë shkeljesh dhe parregullsish, që kanë sjellë edhe vendosje gjobash nga ana e Bankës së Shqipërisë, konkretisht në 12 raste, ndërsa në 1 rast ka patur edhe heqje të licencës.
Nga inspektimet janë evidentuar problematika që lidhen me moszbatimin e detyrimeve ligjore/rregullatore për proceset e vigjilencës së duhur/zgjeruar, sistemin e centralizuar për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, trajnimet, mungesë evidencash që dokumentojnë verifikimin, etj.
Ndërkohë, në 16 raste, Banka e Shqipërisë ka dhënë rekomandime për përmirësime, si rrjedhojë e mangësi të konstatuara nga inspektimet e mëparshme.
Zyrat e këmbimit valutor rezultojnë në krye të listës së institucioneve financiare me risk të lartë për pastrimin e parave, kjo edhe nga vlerësimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare, si edhe nga Agjencia e Inteligjencës Financiare. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar gjithashtu edhe inspektime të përbashkëta me AIF në kuadër të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndërkohë, zyrat e këmbimit valutor vijojnë të zgjerojnë, duke rezultuar në një biznes fitimprurës. Sipas të dhënave të BSH, në fund të vitit 2024, veprimtaria e këmbimit valutor ushtrohet nga 642 zyra të licencuara, ku vitin e kaluar u dhanë 46 licenca të reja, ndërkohë që u hoqën 25 prej tyre, kryesisht për shkak të mbylljes së veprimtarisë nga subjektet, si edhe si pasojë e shkeljeve. /ekofin.al
