Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) ka vendosur të shtyjë sërish afatin për fazën e parë të garës ndërkombëtare për “Korpusin e Institucioneve të Pavarura” dhe qendrën shëndetësore e sportive në Tiranë. Sipas njoftimit të ri, subjektet e interesuara do të mund të aplikojnë deri më 21 shtator 2026, në orën 15:00 CET, nga 4 shtatori që ishte përcaktuar më parë.
Shtyrja vjen pasi procedura e parë u anulua për mungesë të numrit të nevojshëm të aplikimeve, ndërsa edhe gara e rihapur në korrik po merr tashmë një afat të ri. Afati për fazën e dytë nuk është përcaktuar ende.
Korporata e Investimeve Shqiptare ka rihapur garën për përzgjedhjen e partnerit privat që do të projektojë dhe zhvillojë “Korpusin e Institucioneve të Pavarura”, së bashku me një objekt multifunksional, klinikë mjekësore dhe palestër sportive komunitare në Tiranë.
Procedura e re ishte shpallur më 9 korrik 2026, vetëm pak ditë pasi Korporata anuloi garën e mëparshme për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve.
Gara e parë ishte hapur më 30 prill, me afat për aplikimet deri më 19 qershor. Në përfundim të këtij afati, Korporata njoftoi se nuk ishte siguruar numri i nevojshëm i aplikimeve për vazhdimin e fazës së parë, duke vendosur anulimin e procedurës.
Kriteret kryesore financiare dhe mënyra e zhvillimit të projektit nuk kanë ndryshuar.
Partneri privat do të ketë të drejtën të ndërtojë një objekt multifunksional për sipërmarrje në pronën shtetërore të ish-Fushës së Aviacionit, me një sipërfaqe maksimale zhvillimi prej rreth 50 mijë metrash katrorë.
Oferta financiare duhet t’i sigurojë Korporatës së paku 35% të sipërfaqes totale që do të ndërtohet në këtë pronë. Kandidatët do të renditen sipas përqindjes më të lartë që ofrojnë për Korporatën mbi këtë prag minimal.
Kriteri prej 35%, sipërfaqja maksimale prej 50 mijë metrash katrorë dhe struktura e konkurrimit me dy faza dhe tre zarfe ishin të njëjta edhe në procedurën e hapur më 30 prill. Ndryshimi kryesor mbetet shtyrja e kalendarit dhe hapja e afateve të reja për tërheqjen e investitorëve.
Pjesa që do të përfitojë Korporata në objektin multifunksional do të përdoret për realizimin e dy investimeve publike: “Korpusit të Institucioneve të Pavarura” në Njësinë Administrative nr. 2 dhe “Qendrës për Zhvillimin Multifunksional” në Njësinë nr. 7, ku parashikohen një klinikë e re mjekësore dhe një palestër sportive komunitare.
Kandidati fitues nuk do të kufizohet vetëm te ndërtimi i objektit për sipërmarrje. Me kërkesë të Korporatës, ai duhet të përdorë pjesën që i takon shtetit për të zhvilluar plotësisht edhe dy objektet me funksion publik.
Partneri privat duhet të paguajë shpenzimet e konkursit ndërkombëtar arkitekturor dhe të projektit të detajuar të konceptit fitues. Atij do t’i ngarkohen gjithashtu taksat, tarifat, kostot e lejeve, mbikëqyrja e punimeve dhe regjistrimi i objekteve të reja.
Nëse kërkohet nga Korporata, investitori duhet të sigurojë edhe mjedise të përkohshme pune për punonjësit e institucioneve që aktualisht ndodhen në pronat ku do të zhvillohen projektet, për të gjithë periudhën e ndërtimit.
Konkurrimi do të zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, aplikantët duhet të paraqesin dokumentet që provojnë kapacitetet teknike dhe financiare, si dhe dy projekt-ide paraprake arkitekturore.
Në përfundim do të kualifikohen deri në pesë kandidatët me vlerësimin më të lartë. Ata do të ftohen në fazën e dytë, ku do të paraqesin projekt-idetë e plota dhe ofertën financiare.
Projektet arkitekturore do të shqyrtohen në një konkurs të hapur nga një juri ndërkombëtare, ndërsa pesë projekt-idetë më të mira do të shpërblehen. Kontrata do t’i jepet kandidatit që renditet i pari për projektin arkitekturor të objektit multifunksional dhe që njëkohësisht ofron për Korporatën përqindjen më të lartë mbi pragun bazë prej 35%.
“Korpusi i Institucioneve të Pavarura” parashikohet të akomodojë INSTAT-in, Avokatin e Popullit, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Autoritetin e Konkurrencës dhe Komisionin e Prokurimit Publik.
Sipas të dhënave të publikuara më herët për projektin, godina do të ketë një sipërfaqe rreth 20,350 metra katrorë dhe do t’u shërbejë afërsisht 646 punonjësve.
Afati i ri deri më 21 shtator do të tregojë nëse koha shtesë do të jetë e mjaftueshme për të tërhequr interes nga investitorët, ndërkohë që paketa kryesore financiare dhe detyrimet e partnerit privat mbeten të njëjta me garën që dështoi në qershor. /ekofin.al
