Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, i hedhur në konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, synon të zgjidhë përfundimisht një problematikë të trashëguar prej më shumë se dy dekadash në administrimin e shoqërive shtetërore jofunksionale. Bëhet fjalë për subjekte që ndonëse nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike, vijojnë të ekzistojnë juridikisht për shkak të proceseve të zvarritura të likuidimit, duke krijuar paqartësi ligjore, financiare dhe pasurore.
Sipas relacionit shpjegues, në administrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen aktualisht disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51% që ndodhen prej vitesh në likuidim, pa arritur mbylljen përfundimtare dhe çregjistrimin nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Konkretisht, projektligji prek shoqëri si “Albbakër” sh.a., “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan–Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. (Durrës), “Superfosfat Kurbin” sh.a. dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”, një pjesë e të cilave kanë kaluar në proces likuidimi që në fillim të viteve 2000, duke e zgjatur këtë proces për më shumë se 15–20 vjet.
Analiza e situatës faktike dhe financiare të këtyre shoqërive evidenton problematika të përsëritura dhe strukturore. Detyrimet e mbartura janë kryesisht borxhe shumë të vjetra, të krijuara në periudha të hershme, ku një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara gabimisht në kontabilitet, shpesh pa dokumentacion mbështetës ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më juridikisht. Në disa raste, këto detyrime përbëjnë pjesën dërrmuese të borxhit të raportuar, pa reflektuar detyrime reale financiare.
Nga ana tjetër, këto shoqëri administrojnë një portofol të konsiderueshëm pasurish shtetërore, kryesisht pasuri të paluajtshme si truall, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa rrethe të vendit. Sipas relacionit, vlera kontabël e aseteve tejkalon ndjeshëm vlerën e detyrimeve reale të pagueshme, duke krijuar potencial për shlyerjen e tyre, nëse pasuritë do të administroheshin në mënyrë të unifikuar dhe efektive.
Projektligji parashikon krijimin e një procedure të posaçme, përjashtimore nga ligji “Për shoqëritë tregtare”, që përfshin inventarizimin dhe klasifikimin e detyrimeve, fshirjen ligjore të borxheve të parashkruara, shlyerjen e detyrimeve reale sipas rendit të përparësisë të Kodit Civil, si dhe transferimin e aseteve dhe detyrimeve te një shoqëri shtetërore pasuese. Për këtë qëllim, parashikohet krijimi i shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., e cila do të sigurojë vazhdimësinë juridike në marrëdhëniet me kreditorët dhe palët e treta, si dhe administrimin e centralizuar të pasurive shtetërore.
Në aspektin buxhetor, relacioni pranon se zbatimi i ligjit do të ketë efekte financiare për buxhetin e shtetit, pasi kapitali fillestar i shoqërisë pasuese do të financohet nga fondet publike. Shuma konkrete dhe mënyra e administrimit të këtij kapitali do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, nisma synon të rrisë sigurinë juridike, të racionalizojë administrimin e pasurive shtetërore dhe të reduktojë numrin e shoqërive tregtare shtetërore jofunksionale. Në thelb, projektligji synon të mbyllë përfundimisht një kapitull të gjatë të likuidimeve të zvarritura, duke vendosur administrimin e pasurive publike mbi baza më transparente, më efikase dhe në përputhje me interesin publik. /ekofin.al
