Parlamenti hungarez votoi të hënën për heqjen e imunitetit të kryeministrit Péter Magyar dhe të dy ish-ministrave nën drejtimin e ish-kryeministrit nacionalist Viktor Orban, në mënyrë që ata të mund të hetohen në çështje të veçanta penale.
Hetimet ndaj dy ish-ministrave të epokës së Orbanit, të dyshuar për korrupsion me vlerë miliona euro, janë hetimet e para për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë të ish-kryeministrit gjatë 16 viteve të tij në pushtet.
Magyar, ndaj të cilit po zhvillohet një hetim i veçantë për vjedhje të dyshuar, kërkoi në mënyrë specifike heqjen e imunitetit të tij, në mënyrë që të mund të pastrojë emrin e tij nga ajo që e cilëson si “vrasje të karakterit”.
Parlamenti votoi me shumicë dërrmuese pro heqjes së imunitetit të tij, si dhe të ish-ministrit të Kulturës, Balázs Hankó, dhe ish-ministrit të Zhvillimit, Miklós Seszták.
Partia Fidesz e Orbanit dhe aleati i saj KDNP bojkotuan seancën.
Votimi erdhi si përgjigje ndaj një kërkese të bërë javën e kaluar nga prokurorët për të hetuar tre politikanët.
Në rastin e Magyar, prokurorët pretendojnë se kryeministri konservator pro-BE-së i rrëmbeu telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate në vitin 2024 dhe më pas e hodhi atë në lumin Danub.
Magyar e ka cilësuar çështjen si një “proces të sajuar” dhe javën e kaluar akuzoi prokurorët se po përpiqeshin “të bashkonin” çështjet e ish-ministrave “me përpjekjen për vrasje të karakterit politik… e cila tashmë ka dështuar disa herë”.
Hankó, deputet i partisë Fidesz të Orbanit, akuzohet për përvetësimin e më shumë se 40 milionë eurove nga fondet publike.
Prokurorët pretendojnë se paratë u përdorën për të ndihmuar në financimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026 dhe për përfitime personale të personave të tjerë.
Në korrik, autoritetet sekuestruan serverët e Fidesz në lidhje me çështjen, duke bërë që Orban të akuzonte autoritetet për zhvillimin e një hetimi të sajuar me qëllim që ta bënin partinë “ligjërisht të paqëndrueshme”.
Në një çështje të veçantë, Seszták, deputet i KDNP, aleatit të Fidesz-it, po hetohet për pranimin e ryshfeteve me vlerë miliona dollarë gjatë kohës që ishte ministër i Zhvillimit Kombëtar, nga viti 2014 deri në vitin 2018.
Çështja lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur me çmime të fryra.
Të dy ish-ministrat e epokës së Orbanit mohojnë çdo shkelje
Magyar, partia Tisza e të cilit erdhi në pushtet në prill duke premtuar hetimin e korrupsionit të dyshuar dhe shpërdorimit të detyrës gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit, ka deklaruar se dëshiron të heqë plotësisht imunitetin parlamentar për veprat penale të ndjekura publikisht./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
